Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet nesër, e martë, më 20 tetor, në orën 21:00, për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Në qendër të diskutimeve pritet të jenë situata e sigurisë dhe bllokada institucionale në vend.

Raporti mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti. Mbledhja e fundit për shqyrtimin e raportit mbi Kosovën u mbajt më 9 prill.

Dokumenti thekson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka qenë stabile. Megjithatë, vihet në dukje se bllokada institucionale ka vazhduar dhe progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur i kufizuar.

Gjithashtu, raporti trajton zhvillimet në fushën e drejtësisë, përfshirë arrestimin e disa personave serbë të dyshuar për krime lufte dhe dënimin e tre individëve për sulmin terrorist në Banjskë.

Një çështje tjetër e rëndësishme e përfshirë në raport është mbyllja e institucioneve paralele serbe që kanë operuar ilegalisht në territorin e Kosovës.

Dokumenti përmend edhe njoftimin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) lidhur me tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër. Po ashtu, theksohet përfshirja e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit pritet të ofrojë një mundësi për shqyrtimin e thelluar të zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti.