**Pagesat për Bujqit: Deputeti Ramadani Kërkon Llogari për 30 Milionë Euro që Mungojnë**
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka cilësuar si mashtrim të vazhdueshëm premtimin për pagesat direkte ndaj bujqve. Ai ka ngritur pyetjen publike se ku kanë përfunduar 30 milionë euro të destinuara për këtë sektor.
“Më 22 qershor, qeveria doli me thirrjen për pagesat direkte për bujqit. U fol për buxhet rekord dhe mbështetje historike për bujqësinë. Mirëpo sot, në tetor, ‘balona e propagandës u shfrye’: buxheti është përgjysmuar, ndërsa bujqit u mashtruan sërish!”, ka shkruar Ramadani.
Sipas deputetit, buxheti i planifikuar fillimisht ishte dukshëm më i madh.
“Buxheti i planifikuar për vitin 2026 ishte 67 milionë euro për subvencione dhe 10 milionë euro për grante. Ndërsa sot, në dispozicion janë vetëm 47 milionë euro! Pra, 30 milionë euro janë zhdukur rrugës! Bujqit tanë nuk kërkojnë lëmoshë. Ata kërkojnë djersën e tyre dhe atë që u është premtuar!”, ka përfunduar ai.
