Edhe gratë shtatzëna duhet të ushtrojnë: Këshilla thelbësore

Gratë shtatzëna, duke filluar nga java e dymbëdhjetë e shtatzënisë, këshillohen të kryejnë aktivitet fizik të kujdesshëm, çka i ndihmon ato ta përballojnë më lehtë lindjen.

Megjithatë, aktiviteti fizik lejohet vetëm nëse nuk ka probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në shtatzëni, qafa e mitrës është e mbyllur dhe nuk ka kontraksione.

Gruaja mund të ushtrojë gjatë gjithë shtatzënisë, por duhet t’u shmanget aktiviteteve që përfshijnë kërcimet, veçanërisht në fillim, përpara se fiksimi i fetusit në mitër të jetë plotësisht i stabilizuar.

Programi i ushtrimeve për gratë shtatzëna duhet domosdoshmërisht të përfshijë ushtrime për përmirësimin e lëvizshmërisë së ijeve, një qarkullim të mirë të gjakut në gjymtyrë (këmbë e duar), rritjen e kapacitetit të mushkërive, si dhe forcimin e muskujve të barkut dhe të dyshemesë së legenit. Kjo bëhet me qëllim që të parandalohen dhe të zvogëlohen problemet që shfaqen gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, si dhe që vetë lindja të jetë sa më e suksesshme.

Nga muaji i katërt deri në fund të shtatzënisë, nuk duhet ushtruar në pozicion të shtrirë shpinë për më shumë se pesë minuta, sepse presioni i mitrës mbi enët e mëdha të gjakut mund të shkaktojë kolaps.

Ushtrimet duhet të përshtaten me periudhat e shtatzënisë, pasi nuk kryhen të njëjtat ushtrime në tremujorin e dytë dhe të tretë. Ndërsa afrohet lindja, theksi vihet te forcimi i muskujve që përdoren gjatë fazës së shtytjes, pra, gjatë lindjes së foshnjës.

Aerobia me intensitet të lartë, vrapimi, ngarja e biçikletës dhe ushtrimet në aparate mund të rrezikojnë zhvillimin e fetusit, pasi shpenzojnë sasi të mëdha oksigjeni. Këto aktivitete duhet të shmangen ose të kryhen nën mbikëqyrjen e një specialisti të ushtrimeve për shtatzëna.

Por, një rekomandim thelbësor është që gratë shtatzëna duhet gjithmonë t’i përshtaten gjendjes së tyre fizike; nëse ndiejnë lodhje ose stërmundim muskulor, këshillohet që ushtrimet të pakësohen ose të bëhen më të rralla.

Këto këshilla vlejnë për gratë që kanë një shtatzëni normale, pa probleme të veçanta. Në rast të kundërt, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, i cili do t’ju këshillojë për llojin e aktivitetit fizik të përshtatshëm për gjendjen tuaj.

Gratë që gjatë shtatzënisë mbeten fizikisht aktive, ruajnë shëndetin e mirë, si të tyre, ashtu edhe të fëmijës, për vite me radhë pas lindjes.