Sot shënohen 27 vjet nga rënia heroike e Agim Ramadanit – Katanës, komandantit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai mbetet një prej figurave më emblematike të luftës për liri dhe një nga strategët kryesorë të Betejës së Koshares.

Në nderim të tij, sot në mesditë do të organizohet një akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Përveç kësaj, çdo 9 prill, ky amanet historik i rezistencës shqiptare përkujtohet përmes manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, në nderim të betejës që theu kufirin shqiptaro-shqiptar.

Agim Ramadani – Katana ishte njëri ndër hartuesit kryesorë të planit për thyerjen e kufirit në Koshare. Së bashku me bashkëluftëtarët e tij, ai realizoi një nga momentet më simbolike të luftës çlirimtare.

I lindur më 3 maj 1963 në Zhegër të Gjilanit, Ramadani u formua si ushtarak në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më pas, ai shquhet edhe si artist e krijues, duke lënë gjurmë të thella në poezi dhe pikturë.