Komisioni për Buxhet ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Ky vendim ka ngjallur kritika nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, i cili dënoi mosmbështetjen e amendamenteve të propozuara nga opozita, veçanërisht ato për mbështetjen e pacientëve.

Lushtaku theksoi se është e papranueshme që ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe anëtarët e komisionit të refuzojnë propozimet e opozitës. Ai kritikoi ministrin për referencat e vazhdueshme ndaj veprimeve të qeverive të kaluara, duke theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te nevojat aktuale të qytetarëve, sidomos tek mbështetja për shëndetësinë.

Deputeti i PDK-së përmendi posaçërisht amendamentin e koleges Ariana Musliu-Shoshi për ndërtimin e një Qendreje të Kujdesit Paliativ. Sipas Lushtakut, mbështetja për pacientët është e domosdoshme, pasi mungesa e saj i detyron shumë prej tyre të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

“Më vjen turp që ministri vazhdimisht u referohet veprimeve të mëparshme. Qytetarët e kanë tejkaluar këtë justifikim; qeveria duhet të shikojë drejt të tashmes dhe të ardhmes. Ka nevojë për një mbështetje më të madhe për pacientët, të cilën fatkeqësisht nuk po e gjejnë në Kosovë, duke i detyruar të shkojnë jashtë vendit. Amendamentet, sidomos ai i Ariana Musliu-Shoshit, ishin shumë të nevojshme. Shpresoj që t’ju ketë vrarë sadopak ndërgjegjja nëse një pacient vdes pa këtë mbështetje, kur ju keni pasur mundësinë ta ofroni,” deklaroi Lushtaku.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, lexoi rekomandimin për miratimin e projektligjit. Ai sqaroi se projektligji numër 11L/013 u miratua me amendamentet e propozuara nga Komisioni Funksional për Buxhet, ndërsa amendamentet e tjera nuk morën mbështetjen e komisionit. Projektligji kaloi me 6 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim.