Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar përdorimin e temave me interes shtetëror dhe strategjik për përfitime partiake, duke iu referuar ndryshimeve të ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilat janë dërguar për dekretim te presidentja e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
E pyetur nëse ligji mund të kthehet sërish në Kuvend, Nagavci ka thënë se tashmë ka precedentë kur presidentja e ka kthyer legjislacionin e miratuar nga deputetët.
“Është e rëndësishme të përmendet edhe njëherë fakti që pikërisht për të shmangur situata të tilla, ne kemi insistuar që të mos ngutemi në procedimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm dhe ndoshta, për fat të keq, është një shembull se si kur temat të cilat janë me interes shtetëror e strategjik përdoren për përfitime partiake, na sjellin situata të tilla”, tha ajo.
Nagavci ka përmendur rastet nga legjislatura e kaluar, kur presidentja Vjosa Osmani kishte kthyer dy ligje të miratuara nga Kuvendi, për të cilat, sipas saj, procesi i miratimit nuk ka përfunduar ende.
“Ku duhet të bëhet përsëri temë. Duhet pasur parasysh edhe faktin që tashmë ka praktikë, domethënë gjatë legjislaturës së kaluar, në kohën sa ishte presidente zonja Vjosa Osmani, ajo kishte kthyer dy prej ligjeve të cilat ishin miratuar në Kuvend, dhe me sa jam në njohuri, të dyja ato prej ligjeve domethënë akoma nuk janë miratuar, janë kthyer në pikën zero”, tha ajo.
E pyetur për mundësinë që presidentja ta kthejë ligjin, Nagavci ka thënë se pret që ai të shqyrtohet me kujdes para marrjes së vendimit.
“Ka pasur raportime në media, besoj që presidentja, meqenëse edhe ka qenë fillimi i mandatit të saj edhe konsolidimi i ekipit edhe të tjerat, siç e tash, e shqyrton me kujdes që e meriton këtë temë dhe ky projektligj edhe të marrë vendimin e duhur”, tha ajo.

