Çlirim Haziri reagon ashpër ndaj PDK-së për ligjin për Gjykatën Speciale: “Kushdo që luan me UÇK-në, do të na ketë përballë”
Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestave për mbrojtjen e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kthimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend, si dhe pas polemikave që pasuan këtë zhvillim.
Haziri theksoi se “nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë”.
Përmes një reagimi të tij të plotë, Haziri sqaroi qëndrimin, duke kujtuar se për 21 ditë kishin qëndruar në shesh me kërkesën e vetme që institucionet të merrnin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Ai theksoi se kauza e tyre është “shumë më e madhe se secili prej nesh”.
Ai shtoi se vetë kanë kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. “Ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj vetëm sa për t’u votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real”, u shpreh Haziri.
Për Hazirin, nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton ligjin, por “çfarë përmban ai dhe çfarë mund të bëjë”. Ai premtoi se do të vazhdojnë ta përcjellin me kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit, si dhe do të monitorojnë zbatimin e çdo neni e çdo shkronje të tij.
Haziri ritheksoi se qëndrimi, kërkesa dhe kauza e tyre nuk kanë ndryshuar. “Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, përfundoi ai.
