Aktorja e njohur amerikane Jenna Ortega ka zbuluar se planifikon të largohet për një kohë nga projektet televizive pasi të përfundojë angazhimin e saj në serialin e famshëm të Netflix-it, “Wednesday”.
Ortega, e cila u bë veçanërisht e njohur për rolin e Wednesday Addams, ka thënë se dëshiron t’i krijojë vetes hapësirë për përvoja dhe projekte të reja në karrierën e saj.
Në një intervistë në podcastin “Happy Sad Confused”, aktorja ka treguar se ende nuk ka zhvilluar shumë biseda për t’iu bashkuar ekskluziviteteve të tjera filmike, duke lënë të kuptohet se dëshiron t’i marrë gjërat me qetësi pas përfundimit të angazhimit të saj aktual.
“Besoj se pas ‘Wednesday’ do të qëndroj larg televizionit për një kohë”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se që nga fëmijëria ka kaluar nga një projekt televiziv në tjetrin dhe tani dëshiron t’u japë mundësi gjërave të reja.
Ortega e nisi karrierën si aktore në moshë të re, duke u shfaqur në seriale si “Jane the Virgin” dhe “Stuck in the Middle”, përpara se të fitonte famë ndërkombëtare me “Wednesday”.
