Gazetari dhe komentatori politik, Valon A. Syla, e konsideron të pamendur injorimin e skandaleve të brendshme partiake nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), veçanërisht pas premtimeve publike për veprim. Ai thekson se PDK-ja hesht për vjedhjen e votave, ndërsa ata që janë përfshirë në këtë skandal flasin për çështje të rëndësishme.
Syla iu referua deputetit Nait Hasani, personazhit më të lakuar në skandalin e vjedhjes së votave brenda PDK-së, i cili ka qenë mjaft aktiv ditët e fundit duke adresuar çështje të ndryshme në opinionin publik.
Me ton ironik, Syla vë në dukje se Hasani po flet në televizionet kombëtare për çështje të larta shtetërore si zgjedhja e Presidentit. Ai sugjeron se kjo mund të jetë një shenjë frike për një garë të ardhshme elektorale, duke kujtuar skandalin e vjedhjes së votave në Prizren. Gazetari thekson paradoksin: ndërsa shumë kandidatëve të PDK-së iu vodhën votat, numri i votave të Hasanit u rrit në mënyrë të dyshimtë.
Syla theksoi më tej se kjo qasje e PDK-së do të jetë e dëmshme për vetë subjektin politik, pasi shpërfillja e premtimeve publike nuk do të harrohet nga elektorati.
Ai kritikoi edhe heshtjen e PDK-së lidhur me vjedhjen e votave brenda radhëve të saj, pas premtimeve të forta se “vjedhësit” do të dënoheshin dhe se mandatet e tyre do të dorëzoheshin. “Ajo që po shohim është e kundërta,” tha Syla. “Vjedhësit e votave, ose ata që përfituan vota shtesë përmes manipulimeve, aktualisht po flasin drejtpërdrejt në televizione për çështje të rëndësishme, por natyrisht jo për vjedhjet brenda radhëve të tyre.”
Më parë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, kishte deklaruar se ky skandal nuk do të anashkalohej dhe se do të kishte shqyrtim e llogaridhënie në përputhje me hetimet e autoriteteve. Çështja e bartjes së votave mes kandidatëve të së njëjtës parti ka përfshirë të gjitha subjektet politike në zgjedhjet e fundit, por rasti më i theksuar ishte ai në Prizren, ku ishte drejtpërdrejt i përfshirë Nait Hasani, kandidat për deputet asokohe.
