2 A Group, një prej palëve të përfshira në konfliktin për aeroportin e Vlorës, që pretendon 49% të aksioneve të VIA-s, ka bërë një reagim të fortë për mediat, ku thotë se pronësia e Aeroportit nuk mund t’i jepet Behgjet Pacollit përmes titujve të lajmeve.
Në reagimin e kompanisë, duke iu referuar lajmeve që qarkulluan dje për ndryshimin e ekstraktit të VIA-s, thuhet se vendimi i titullarit të QKB, është i paligjshëm. Nga ana tjetër, në reagimin e 2A Group, që përfaqësohet nga Valon Ademi, thuhet se “2A Group vazhdon të zotërojë 49% të kuotave të VIA-s në bazë të kontratës noteriale dhe në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Më tej në reagimin e kompanisë, kërkohet që drejtësia në Shqipëri të veprojë sa më parë dhe të vendosë se cili prej biznesmenëve ka të drejtë mbi pronësinë, Behgjet Pacolli apo Valon Ademi.
“𝐀𝐞𝐫𝐨𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢 𝐢 𝐕𝐥𝐨𝐫ë𝐬 𝐧𝐮𝐤 𝐝𝐨 𝐭ë 𝐛ë𝐡𝐞𝐭 𝐤𝐮𝐫𝐫ë 𝐩𝐫𝐨𝐧ë 𝐞 𝐂𝐨𝐦𝐩𝐚𝐫𝐭𝐦𝐞𝐧𝐭 𝐁𝐞𝐫𝐧𝐢𝐧𝐚𝐬 𝐞 𝐚𝐬 𝐞 𝐓𝐢𝐦𝐮𝐫 𝐊𝐮𝐥𝐢𝐛𝐚𝐣𝐞𝐯-𝐢𝐭, 𝐝𝐡𝐞 𝐩ë𝐫 𝐤ë𝐭ë 𝐝𝐨 𝐭ë 𝐪ë𝐧𝐝𝐫𝐨𝐣𝐦ë 𝐦𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐚 𝐦𝐣𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐥𝐢𝐠𝐣𝐨𝐫𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐣𝐨 𝐯𝐞𝐭ë𝐦”, përmbyll reagimin 2 A Group.
Timur Kulibayev është një biznesmen dhe miliarder nga Kazakistani, i njohur për pasurinë e tij në sektorin e naftës, gazit, financave dhe industrisë minerare. Në reagimin e tij, 2A Group lë të kuptohet se pas Pacollit, dhe investimit të tij në Aeroportin e Vlorës, qëndron pikërisht miliarderi kazak.
DEKLARATA E PLOTË
𝐏𝐫𝐨𝐧ë𝐬𝐢𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐤𝐭𝐡𝐞𝐡𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐭𝐢𝐭𝐮𝐣 𝐥𝐚𝐣𝐦𝐞𝐬𝐡.
2A GROUP KA QENË, ËSHTË DHE MBETET ORTAKE ME 49% NË AEROPORTIN E VLORËS.
Për mediat që po raportojnë se “QKB anulon transferimin e kuotave” dhe “i kthen Behgjet Pacollit 98% të pronësisë”, na duhet të sqarojmë se QKB ka ndryshuar ekstraktin. Nuk ka anuluar kontratën e shitblerjes së kuotave. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Ndryshimi i të dhënave në regjistër nuk ia rikthen shitësit kuotat që ka shitur, pavarësisht se si paraqitet kjo në titujt e lajmeve.
2A Group e konsideron të kundërligjshëm vendimin e titullarit të QKB-së për heqjen nga ekstrakti të raportit të kuotave që buron nga kontrata noteriale e datës dhe do ta kundërshtojë me të gjitha mjetet ligjore.
Ligji është i qartë. Neni 690 i Kodit Civil përcakton se kontrata e lidhur rregullisht ka forcën e ligjit për palët dhe nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ta ketë shpallur të pavlefshme apo të ketë vendosur zgjidhjen e saj. Neni 74, pika 2, i ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” përcakton se regjistrimi i kalimit të kuotave ka efekt deklarativ.
Pra, të drejtat tona mbi kuotat burojnë nga kontrata. QKB-ja nuk mund ta zhbëjë shitblerjen duke ndryshuar të dhënat në ekstrakt. Një vendim mbi regjistrimin nuk është vendim gjyqësor mbi vlefshmërinë e kontratës dhe nuk ia rikthen shitësit kuotat që ka shitur.
Kjo është e vërteta dhe këtë duhet ta dijë opinioni publik: 2A Group vazhdon të zotërojë 49% të kuotave të VIA-s në bazë të kontratës noteriale dhe në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Kemi qenë të parët që kemi kallëzuar në organet kompetente veprimet e MABCO-s dhe Behgjet Pacollit, të cilat i konsiderojmë mashtruese. Dhe jemi ne që kemi kërkuar që këto kallëzime të hetohen sa më shpejt.
Opinioni publik duhet ta dijë sa më shpejt nëse, Valon Ademi, e ka mashtruar Behgjet Pacollin apo ka ndodhur e kundërta.
Prandaj, i kërkojmë Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK-ut, brenda kompetencave të tyre, të veprojnë sa më shpejt. Të hetojnë, të ballafaqojnë provat dhe të kërkojnë përgjegjësi nga kushdo që provohet se ka shkelur ligjin.
Për ne, gjërat janë të qarta. Nëse në Shqipëri ka drejtësi, duhet të përcaktohet sa më shpejt kush mban përgjegjësi: Valon Ademi apo Behgjet Pacolli. Të dyja versionet nuk mund të jenë të vërteta dhe kjo përballje nuk mund të mbetet pafund nëpër tituj lajmesh e as ne facebook.
Garantojmë opinionin publik se, pavarësisht propagandës, qëndrimi ynë është i palëkundur:
𝐀𝐞𝐫𝐨𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢 𝐢 𝐕𝐥𝐨𝐫ë𝐬 𝐧𝐮𝐤 𝐝𝐨 𝐭ë 𝐛ë𝐡𝐞𝐭 𝐤𝐮𝐫𝐫ë 𝐩𝐫𝐨𝐧ë 𝐞 𝐂𝐨𝐦𝐩𝐚𝐫𝐭𝐦𝐞𝐧𝐭 𝐁𝐞𝐫𝐧𝐢𝐧𝐚𝐬 𝐞 𝐚𝐬 𝐞 𝐓𝐢𝐦𝐮𝐫 𝐊𝐮𝐥𝐢𝐛𝐚𝐣𝐞𝐯-𝐢𝐭, 𝐝𝐡𝐞 𝐩ë𝐫 𝐤ë𝐭ë 𝐝𝐨 𝐭ë 𝐪ë𝐧𝐝𝐫𝐨𝐣𝐦ë 𝐦𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐚 𝐦𝐣𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐥𝐢𝐠𝐣𝐨𝐫𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐣𝐨 𝐯𝐞𝐭ë𝐦.
