Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron në një treg në qytetin Nyala, kryeqytetin e Darfurit të Jugut në Sudan.
Sulmi ndodhi në tregun Tangooj mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, sipas dëshmitarëve të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.
Ky treg frekuentohej rregullisht nga luftëtarë të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup paramilitar që kontrollon zonën.
Numri i viktimave u konfirmua nga një punonjës shëndetësor në spitalin e Nyala-s, i cili deklaroi se 21 persona kishin humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë ishin plagosur.
Ky sulm ndodh ndërsa ushtria sudaneze ka intensifikuar goditjet kundër pozicioneve të RSF-së. Konflikti i armatosur në këtë shtet afrikan vazhdon të shkaktojë viktima të shumta dhe zhvendosje masive të popullsisë.
