Një incident i papritur ka shkaktuar plagosjen e një modeleje gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga një studio televizive në Meksikë. Moderatori i emisionit “Es Show”, Ernesto Chavana, goditi me shqelm një dron që po fluturonte në studio, por pajisja përfundoi duke goditur në fytyrë modelen dhe balerinën kolumbiane, Isabella Rojas.

Ngjarja ndodhi në studion e televizionit Canal 6 të rrjetit Multimedios në Monterrey. Rojas pësoi lëndime të lehta në buzë, ndërsa pamjet e incidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u bërë virale.

Në video shihet droni duke fluturuar pranë moderatorit, i cili ngre këmbën dhe e godet me shqelm. Pas goditjes, pajisja devijon dhe përplaset drejtpërdrejt në fytyrën e Rojas. Modelja reagoi menjëherë duke mbuluar fytyrën me duar, ndërsa kolegët iu afruan për ta ndihmuar dhe e shoqëruan prapa kamerave.

Pavarësisht incidentit, emisioni vazhdoi transmetimin, ndërkohë që modelja po merrte ndihmë jashtë kuadrit të kamerave. Pas një kontrolli nga personeli i urgjencës, Rojas u kthye në studio disa minuta më vonë, duke konfirmuar se lëndimet ishin të lehta. Më pas, ajo publikoi edhe fotografi ku dukej lëndimi i vogël në buzën e sipërme.