Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona pas protestës së zhvilluar më 27 tetor para Ministrisë së Arsimit. Të arrestuarit dyshohet se kundërshtuan punonjësit e policisë, hodhën sende të forta dhe dogjën kosha mbeturinash.

Në prangat e Policisë kanë rënë 49-vjeçarja V. C. dhe 27-vjeçari B. P. Arrestimi i tyre u krye nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3.

Sipas burimeve policore, të dyshuarit gjatë manifestimit kanë hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë dhe kanë djegur kosha mbeturinash. Këto veprime shkaktuan dëmtim të pronës publike dhe bllokim të qarkullimit në Rrugën e Durrësit.

Përveç akuzave të lidhura me protestën, 27-vjeçari B. P. dyshohet edhe si autor i një vjedhjeje të ndodhur më 23 tetor, në rrugën “Abdi Toptani”. Nga hetimet paraprake, ai akuzohet se ka vjedhur kasën e një motomjeti në pronësi të shtetasit Xh. C., me një vlerë rreth 1 mijë euro.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të ndjekë procedurat e mëtejshme ligjore. Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ndërsa 27-vjeçarit i shtohet edhe akuza për “Vjedhje”.