Vrasja e Arlinda Zekajt: E ndjera kërkoi ndihmë nga institucionet më të larta të drejtësisë pak ditë para se të vritej

Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt ka nxjerrë në pah një neglizhencë institucionale potencialisht më të gjerë nga sa ishte bërë e ditur fillimisht. Përgjegjësia për trajtimin e rastit tregon për lëshime edhe nga institucionet më të larta të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Gazeta Nacionale ka mësuar se, pak ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte dërguar një letër kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi. Në këtë letër, viktima kishte detajuar neglizhencën institucionale në rastin e saj, duke kërkuar ndihmë nga kreu i KGJK-së. Burime të gazetës bëjnë të ditur se Zekaj i kishte dërguar të njëjtën letër, që ia kishte dorëzuar edhe Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, edhe dy institucioneve më të larta të drejtësisë në vend.

Gazeta Nacionale i ka drejtuar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mësuar nëse kreu i këtij institucioni kishte pranuar letrën e viktimës dhe nëse Këshilli kishte ndërmarrë ndonjë veprim pas pranimit të saj. Deri në publikimin e këtij shkrimi, KGJK-ja nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar se kryetari i këtij institucioni, Arian Gashi, e ka marrë një letër nga Arlinda Zekaj. Gashi, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Debat Plus” mbrëmë, konfirmoi marrjen e letrës dhe tha se janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Sipas tij, letra e viktimës i ishte përcjellë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. “KPK ka pranuar një kërkesë nga zonja Arlinda Zekaj përmes së cilës ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me veprimet ndaj lëndës së saj në Prokurorinë tuaj. Andaj, bashkangjitur me aktin ua përcjellim kërkesën në fjalë që sipas kompetencave tuaja ligjore, ta trajtoni këtë çështje”, thuhej në letrën që kryesuesi Gashi ia kishte dërguar kryeprokurores Vuçetaj.

Po ashtu, Gazeta Nacionale ka mësuar se letra e dërguar KGJK-së dhe KPK-së ishte e njëjtë me atë që i ishte dorëzuar edhe Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi. Këtë e ka konfirmuar edhe Natyrsa Kuçi, shoqe e ngushtë e viktimës, e cila në një intervistë për “Debat Plus” në TV Dukagjini, deklaroi se letra i ishte dorëzuar Zyrës së Kryeprokurorit disa ditë para vrasjes së Zekajt. “Linda, rreth tri ditë më parë, i ka shkruar një letër prej tri faqesh e gjysmë Kryeprokurorit të Shtetit, ku ka përshkruar të gjithë kronologjinë e ngjarjes dhe i ka kërkuar ndihmë. Letra nuk është publikuar. Unë nuk e kam. Besoj se e ka avokatja”, tha Kuçi.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, nuk ka dhënë sqarime konkrete për letrën në fjalë. Në një paraqitje për “Debat Plus”, Gashi as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar marrjen e një letre të tillë nga Zekaj. Megjithatë, ai është zotuar se do të jetë i pakompromis ndaj personave që kanë bërë lëshime në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Mbetet e paqartë nëse kërkesat për ndihmë të Zekajt ishin trajtuar në mënyrë adekuate nga institucionet përkatëse dhe nëse, pas tyre, ishin ndërmarrë hapa konkretë për ta mbrojtur atë nga tragjedia.