Përmbysja e pushtetit të Aleksander Vucicit në Serbi pritet të prodhojë dinamika të reja brenda shtetit serb dhe gjithashtu në rajon. Njohësit e zhvillimeve në Serbi dhe rajon kanë ngritur shqetësime rreth politikës që do të ndjek “Lista e Studentëve” pas fitores në zgjedhje, shkruan Gazeta Express.
Çështja e Kosovës, Dialogu i Brukselit dhe raporti me shtetet e tjera të rajonit janë disa prej pikave kritike. Gazetari gjerman, Michael Martens, ka thënë se programi politik i kësaj Liste është i “tmerrshëm”, meqë ndjek të njëjtën mendësi sikurse të Aleksander Vucicit.
Lidhur me ketë çështje, në një intervistë për Gazetën Express ka folur analisti serb, Dushan Janjiq. Ai ka thënë se shpreson që “Lista e Studentëve” të mos e ndjek politikën e Vuçiqit dhe sipas tij, të njëjtit duhet ta ndryshojnë politikën dhe metodologjinë e punës.
“Shpresoj që s’do ta ndjekin metodologjinë dhe mënyrën e menaxhimit të të gjithë situatës siç bëri Vucici. Ata duhet ta ndryshojnë politikën, veçanërisht ata duhet të ndryshojnë modelin e punës. Qeveria e re s’do të jetë në situatë të bëj biseda sekrete. Brukseli duhet t’i harrojë bisedat e nivelit të lartë pa publicitet”, ka thënë Janjiq për Express.
Ai ka thënë se do të ndërrohet edhe ekipi negociator dhe se do të duhet një periudhë derisa qeveria e re të familjarizohet me procesin e negociatave.
Janjiq pret më shumë pragmatizëm dhe më shumë trasnparencë nga “Lista e Studentëve” sa i përket negociatave të Brukselit.
Sa i përket “Listës Serbe” dhe fatit të saj si parti pas rënies së Vuçiqit në Beograd, Janjiq thotë se kjo parti duhet të gjejë një politikë të re, meqë s’janë partnerë të shumicës së re dhe as të qeverisë së re.
“ Duke parë se çfarë Vucici po bën me partinë e tij, do të them se do të heqin dorë. Lista Serbe duhet të gjejnë një politikë të re, sepse s’janë partnerë të shumicës së re dhe të qeverisë së re”, ka thënë Janjiq./Express/
