Aleanca ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Partia opozitare i bën përgjegjës ata për dështimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, si dhe për menaxhimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Kërkesa e Aleancës vjen në mbështetje të grave të Kosovës, të cilat gjithashtu kanë kërkuar dorëheqjen e Gërvallës. Për Sveçlën, Aleanca thekson keqmenaxhimin e rastit të Arlinda Zekajt si arsye thelbësore për largimin e tij.
Sipas Aleancës, dështimi i kësaj strategjie ka përgjegjësi të qartë politike dhe nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e zyrtarëve të policisë apo prokurorisë. Partia kërkon ndryshimin urgjent dhe të plotë të strategjisë aktuale, duke insistuar se përgjegjësia duhet të shtrihet edhe te drejtuesit më të lartë politikë.
“Është e papranueshme që shkarkimet të kufizohen vetëm te vartësit, ndërsa drejtuesit politikë mbeten pasivë ose mbrojnë një strategji të dështuar,” thuhet në reagimin e Aleancës. Për rrjedhojë, Aleanca thekson se llogaridhënia për dështimet institucionale duhet të nisë nga nivelet më të larta drejtuese, me personat përgjegjës që duhet të japin llogari.
