Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është mbajtur mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore për procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Çitaku, e cila është pjesë e këtij grupi, ka vlerësuar se përfshirja e përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare tregon përkushtim të përbashkët politik dhe shtetëror ndaj kësaj çështjeje.
Sipas saj, gjatë takimit, në përputhje me frymën e Deklaratës së Kuvendit të 28 shtatorit, janë diskutuar pikat kryesore të strategjisë, janë përcaktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është dakorduar plani i përgjithshëm i punës.
“Qëllimi ynë është që çlirimtarët tanë ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se paralelisht me hartimin e strategjisë po vazhdon edhe puna për ligjin që synon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke theksuar se UÇK-ja përbën një vlerë që i bashkon qytetarët përtej dallimeve politike, Çitaku ka thënë se mbrojtja e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe e trashëgimisë së saj është përgjegjësi e përbashkët.
Ajo ka bërë thirrje për bashkërendim të angazhimeve me synimin për të kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, të cilin e konsideron të padrejtë, si dhe për t’u siguruar të akuzuarve mbështetjen dhe garancitë e nevojshme juridike gjatë procesit të apelit.
“Në asnjë ditë dhe në asnjë moment, çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm!”, ka përfunduar Çitaku.
