**Rashiq shpalos pritshmëritë nga ndryshimet politike në Serbi për marrëdhëniet me Kosovën**
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, deklaroi se kishte pritur rezultatin e zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi, ku, sipas tij, “lista studentore” doli fituese kundrejt presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur në Tëvë1, Rashiq tha se gjatë javës së kaluar kishte diskutuar për zgjedhjet në Serbi edhe me disa ambasadorë, të cilëve u kishte parashikuar një rezultat të favorshëm për “listën studentore”.
“E kam pritur këtë rezultat. Disa ambasadorë i kam pasur javën e kaluar, të hënën dhe të martën, dhe pikërisht u kam thënë se ‘lista studentore’ do të fitojë me 52.4 për qind, ndërsa Vuçiqi jo më shumë se 40 për qind”, deklaroi Rashiq.
Ai tregoi gjithashtu se për rezultatin e zgjedhjeve kishte biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, të cilit, sipas tij, i kishte thënë se “lista studentore” do të merrte mbi 50 për qind të votave, ndërsa Vuçiqi jo më shumë se 40 për qind.
**Rashiq trajton mundësinë e njohjes së Kosovës**
Gjatë intervistës, Rashiq u pyet edhe lidhur me mundësinë që përfaqësuesit e “listës studentore” në Serbi ta njohin Kosovën.
Ai tha se një zhvillim i tillë nuk mund të pritet menjëherë, por mund të jetë rezultat i një procesi më të gjatë bisedimesh dhe zgjidhjeve strukturore në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Sipas Rashiqit, rëndësi ka edhe respektimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, duke përfshirë angazhimet për të mos penguar zbatimin e tyre.
“Unë shoh një derë të hapur. Përveç asaj që nuk e bëjnë njohjen e Kosovës, këtë e di; të tjerat nuk i di. E di se janë paqësorë dhe nuk janë kriminelë. Jam i bindur se është më mirë një mijë ditë të bisedohet sesa një ditë luftë”, u shpreh Rashiq.
Ai vlerësoi se vazhdimi i dialogut dhe përpjekjet për zgjidhje paqësore janë thelbësore për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
