Kryeministri Rama: Studentët po kërcënohen, prindërit luten për ndihmë

Kryeministri Edi Rama, gjatë tryezës së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, deklaroi se ka marrë mesazhe nga prindër që kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të jetoja në një Shqipëri ku frika për të folur do të nxitej nga presionet e atyre që protestojnë gjoja për ta bërë vendin më të mirë. Unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë, por nëse ti nuk je dakord me mua, unë të ushtroj presion, të kërcënoj dhe të vë përpara një zgjedhjeje dramatike: ose të jesh me mua e të mos vish në mësim, ose të bëhesh objektiv i dhunës sime. Kam dhjetëra mesazhe nga studentë që kërkojnë të ruajnë anonimitetin pasi kanë frikë. Gjithashtu, kam dhjetëra mesazhe nga prindër të këtyre studentëve, të cilët kërkojnë ndihmë sepse ndjehen të pafuqishëm,” tha Rama.

“Fëmijët e tyre po kërcënohen me një gjuhë kërcënuese dhe shantazhuese, e cila ka natyrë kriminale. Ne presim ndihmë nga të gjithë ju që jeni të angazhuar në një front të heshtur, por shumë të dobishëm për cilësinë e jetës dhe nevojën për mbështetje të fëmijëve dhe familjeve, të cilët nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre fenomeneve shumë negative,” shtoi kryeministri.