**AUV asgjëson mbi 5.5 tonë misër të kontaminuar me aflatoksinë B1, rrezik për shëndetin publik**
**Prishtinë** – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin, si dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia. Ky veprim vjen pas analizave laboratorike që konfirmuan praninë e Aflatoksinës B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar, duke paraqitur rrezik për shëndetin.
Masat u ndërmorën në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë. Asgjësimi i sasisë prej 5.56 tonë misër u krye më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, dhe preku tre subjekte ekonomike:
* Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë, ku u asgjësuan 3,270 kg misër;
* Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës, ku u asgjësuan 1,040 kg;
* NTP “Te Hysi” në Shtime, ku u asgjësuan 1,250 kg.
AUV sqaron se Aflatoksina B1 (AFB1) është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit. Përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, ajo mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur një rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia u bën thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve. Ata duhet gjithashtu të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të shmangin përdorimin apo tregtimin e misrit për të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe marrjen e masave për parandalimin e qarkullimit të produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. “Siguria e ushqimit për kafshë është një pjesë thelbësore e mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe sigurisë së të gjithë zinxhirit ushqimor,” thekson AUV në njoftimin e saj.
