Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar pas ndalimit të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, nën dyshimin për dhunë në familje.

Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, SHSKUK ka bërë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni ka autorizuar Zyrën Ligjore që t’u drejtohet organeve kompetente për verifikimin e pretendimeve.

“Lidhur me raportimet e fundit mediale dhe interesimin e gazetarëve, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) njofton opinionin publik se Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka autorizuar menjëherë Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente për të verifikuar urgjentisht këto pretendime”, thuhet në reagim.

SHSKUK i ka cilësuar këto raportime si jashtëzakonisht shqetësuese, duke theksuar se dhuna nuk tolerohet në asnjë rrethanë.

“Për SHSKUK-në, këto raportime janë jashtëzakonisht shqetësuese. Qëndrimi ynë institucional është i prerë, dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet tutje në reagim.

Institucioni ka paralajmëruar se, pas pranimit të informacioneve zyrtare nga organet kompetente, do të ndërmarrë masa ndaj drejtorit.

“Në bazë të informacioneve zyrtare që do të pranohen nga organet kompetente, SHSKUK do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë”, përfundon reagimi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse gjykata vërteton fajësinë e tyre me vendim të formës së prerë.