Ditë pas ndarjes nga jeta të babait të tij, DJ Dagz ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ndarë dhimbjen për humbjen e njeriut më të rëndësishëm në jetën e tij.

Krahas një fotografie të të atit, Dagz ka publikuar një mesazh mjaft emocional, përmes të cilit ka kujtuar gjithçka që babai i tij i ka mësuar dhe i ka dhuruar gjatë jetës.

“Babë na le, po na le me faqe të bardhë”, ka shkruar Dagz në fillim të dedikimit, duke shprehur krenarinë për njeriun që e ka pasur për baba dhe vlerat që ai u ka lënë pas.

Ai e ka përshkruar të atin si një njeri të dashur dhe pozitiv për të gjithë, duke theksuar se veprat e tij të mira dhe fjalët që njerëzit kanë thënë për të po ua lehtësojnë sadopak dhimbjen e humbjes.

Mes tjerash, Dagz është shprehur i bindur se shpirti i babait të tij tashmë po pushon në paqe, ndërsa ka shprehur shpresën që një ditë të takohen sërish në botën tjetër për të vazhduar planet që mbetën pa realizuar.

Në fund të reagimit, ai nuk ka lënë pa falënderuar familjarët dhe miqtë që i kanë qëndruar pranë familjes në ditët më të vështira, duke u uruar atyre shëndet dhe ditë të mira.

Një dedikim i ndierë, përmes të cilit DJ Dagz ka shprehur edhe një herë dashurinë, respektin dhe krenarinë për të atin.