**Prishtina triumfon në Podujevë, barazohet me Malishevën në krye të tabelës**

Prishtina ka regjistruar një fitore të rëndësishme në transfertën ndaj Llapit, duke triumfuar me rezultat 1-0 në kuadër të javës së 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi i është kthyer fitoreve në kampionat, pas humbjes që pësoi në shtëpi ndaj Dritës.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e katërt. Leotrim Kryeziu realizoi pas një asisti të Blendi Baftiut, duke i dhënë Prishtinës epërsinë e hershme.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat krijuan raste shënimi, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe kryeqytetasit siguruan tri pikë të vlefshme.

Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në kuotën e 26 pikëve, duke barazuar kështu me lideren Malisheva. Ndërkaq, Llapi mbetet në vendin e parafundit me vetëm pesë pikë.

Në raundin e ardhshëm, Prishtina do të presë Vushtrrinë, ndërsa Llapi do të përballet me Dukagjinin në transfertë.

Burimi: IndeksOnline