Kristian Kivu ka pranuar se Interi nuk e filloi siç duhet derbin ndaj Milanit, të cilin zikaltrit e humbën me rezultatin 3-1, duke theksuar se skuadra duhet të rikthejë “urinë për fitore” dhe mentalitetin e sezonit të kaluar.

Trajneri rumun theksoi se ekipi duhet të rimarrë vendosmërinë dhe shpirtin që e karakterizonte vitin e shkuar.

“Është një humbje që dhemb, sepse pritshmëritë ishin të larta. E nisëm gabim ndeshjen dhe i dhuruam shumë hapësira Milanit. Reaguam, shënuam dhe mund të barazonim, por Menjan bëri një pritje të jashtëzakonshme. Më pas, para pushimit, pësuam një tjetër gol që mund ta kishim shmangur,” deklaroi Kivu.

Kivu u ndal edhe te problemet e Interit në fillimet e ndeshjeve, duke kërkuar më shumë përqendrim dhe intensitet nga futbollistët e tij.

“Duhet të rikthejmë urinë për fitore, përulësinë dhe vendosmërinë. Ndonjëherë duket sikur pasqyrohemi në të kaluarën dhe në atë që kemi arritur. Nuk duhet t’i marrim gjërat si të mirëqena dhe duhet të përmirësojmë qasjen ndaj ndeshjeve.”

Në fund, trajneri i Interit theksoi sërish se skuadra e tij duhet të rikthejë mentalitetin fitues të sezonit të kaluar.

“Vitin e kaluar kishim më shumë egërsi. Duhet ta gjejmë sërish atë. Kjo humbje nuk duhet të na rrëzojë, por të na bëjë të shohim veten në pasqyrë dhe të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë,” përfundoi Kivu.