Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin për Vendin 2026 të Komisionit Evropian, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media pas pranimit të raportit, Kurti ka vlerësuar se Kosova ka shënuar progres në disa fusha, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, drejtësi, liri dhe siguri, si dhe në përafrimin me politikat e Bashkimit Evropian.

Duke folur për vlerësimet e raportit, Kurti ka theksuar se progresi i Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar është vlerësuar më mirë krahasuar me vitin e kaluar.

“Në luftën kundër krimit të organizuar niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në reformën e administratës publike, në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe në lirinë e shprehjes”, tha Kurti

Ai ka përmendur edhe proceset zgjedhore të mbajtura gjatë periudhës raportuese, duke thënë se Komisioni Evropian i ka vlerësuar ato si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.

“Gjatë periudhës raportuese, këta 12 muaj të fundit, i kemi mbajtur tri palë zgjedhje: komunale në tetor të vitit 2025, parlamentare në dhjetor të vitit 2025, e në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Përfaqësimi i grave në kuvend arriti 34%. Mbi kuotën ligjore dhe gratë udhëheqin kuvendin dhe shtatë nga 16 komisionet parlamentare”, ka thënë Kurti.

Sa i përket sigurisë dhe punës së Policisë së Kosovës, kryeministri ka theksuar se janë rritur kapacitetet e inteligjencës dhe është zgjeruar bashkëpunimi me institucionet policore evropiane.

“Strukturat e inteligjencës në polici janë dyfishuar dhe kemi shtuar oficerët e lidhjes, përfshirë ata në veriun e vendit tonë. Bashkëpunimi me policitë evropiane është përmirësuar ndjeshëm dhe Policia e Kosovës sot bashkë udhëheq aksione evropiane kundër krimit kibernetikë dhe kontrabandës së migrantëve. Vitin e kaluar u diplomuan 742 kadetë rinj, përfshirë këtu nëntë serbë, ndërsa Komisioni e vlerëson luftën kundër terrorizmit si përgjithësisht të kënaqshme”, ka deklaruar ai.

Kurti ka veçuar edhe përafrimin e plotë të Kosovës me Bashkimin Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Në politikën e jashtme dhe të sigurisë, kemi arritur përafrim të plotë me Bashkimin Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Është e rëndësishme se nga ky vit do të vlerësohemi zyrtarisht edhe në kapitullin 31 për politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Me këtë, Bashkimi Evropian pasqyron në mënyrë më të drejtë dhe më të plotë njohjen për brendësimin nga ne si shtet dhe shoqëri të vlerave themelore evropiane, si dhe punën tonë të vazhdueshme për harmonizimin e plotë të politikës sonë të jashtme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, në këtë periudhë kritike për kontinentin tonë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, përfshirja e Kosovës në vlerësimin zyrtar edhe për kapitullin 31 përbën një njohje të rëndësishme nga strukturat e Bashkimit Evropian për sovranitetin e vendit në marrëdhëniet politike me BE-në.

“Kjo gjithashtu përbën njohje nga të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian të një elementi të rëndësishëm të sovranitetit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet politike me të”, ka shtuar kryeministri.

Në fokus të deklarimeve të tij ishte edhe lufta kundër krimit të organizuar, ku Kurti ka përmendur rritjen e dënimeve përfundimtare, miratimin e legjislacionit të ri dhe forcimin e kapaciteteve për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Kemi pasur rezultate edhe kundër krimit të organizuar. Komisioni e ka ngritur vlerësimin e Kosovës në këtë fushë dhe konstaton se dënimet përfundimtare për krimin e organizuar janë rritur ndjeshëm. Kuvendi miratoi ligjin e ri kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa qeveria themeloi fondin e konfiskimit që pasuria e fituar me krim t’u kthehet qytetarëve dhe të investohet në siguri. Gjykata Supreme nxori udhëzim për gjykimin e rasteve të pastrimit të parave dhe policia ka tani kapacitetet për të sekuestruar edhe kriptoasete. Vitin e kaluar policia shkatërroi rreth 1 ton e gjysmë narkotikë dhe konfiskoi mbi 1.900 armë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se edhe në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit, raporti i Komisionit Evropian evidenton progres të mirë, duke konstatuar se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar në masë të madhe.

Ndërkaq, sa i përket luftës kundër korrupsionit, Kurti ka pranuar se raporti evidenton përparim në disa aspekte, por edhe mungesë të rezultateve të mjaftueshme në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

“Në luftën kundër korrupsionit, raporti konstaton se vendimet dhe dënimet përfundimtare për pesë raste [ose raste të tjera] që nuk janë të nivelit të lartë janë rritur ndjeshëm dhe se raportimet e sinjalizuesve të Agjencisë Kundër Korrupsionit pothuajse janë dyfishuar. Gati të gjithë zyrtarët që obligohen nga ligji e kanë deklaruar pasurinë dhe shumica e institucioneve kanë miratuar plane integriteti. Raporti konstaton gjithashtu se në rastet e nivelit të lartë, rezultatet nuk janë aty ku duhet të jenë dhe këtë vërejtje e marrim seriozisht”, ka thënë ai.

Kurti ka cituar edhe vlerësimin e Komisionit Evropian lidhur me problemet në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se sfida kryesore nuk qëndron te legjislacioni, por te zbatimi i tij dhe ndëshkimi i rasteve.

“Por thotë, po citoj: ‘Dobësia kryesore qëndron te zbatimi dhe dënimi, e jo te korniza ligjore’”, ka cituar Kurti raportin.

Në këtë drejtim, kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria synon të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të forcojë kapacitetet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Njësinë Speciale Hetimore të Policisë.

“Qeveria do të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe do të forcojë me staf dhe buxhet Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Njësinë Speciale Hetimore të Policisë. Gjykimi i rasteve është punë e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe ne do t’i mbështesim me burime pa ndërhyrje në punën e tyre”, ka deklaruar Kurti.

Në fund, ai ka përmendur edhe zhvillimet në sistemin prokurorial, duke theksuar se pas katër vjetësh me ushtrues detyre është zgjedhur Kryeprokurori i Shtetit dhe se Këshilli Prokurorial tashmë ka përbërje të plotë.

“Pas katër vjetësh me ushtrues detyre, këtë vit u zgjodh Kryeprokurori i Shtetit, ndërsa Këshilli Prokurorial ka tani përbërje të plotë”, shtoi Kurti.