Rastet e dhunës në familje në Kosovë vazhdojnë të përcillen me sfida serioze në trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave, ndërsa mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, kapacitetet e kufizuara të Qendrave për Punë Sociale dhe mbështetja e pamjaftueshme për gratë e strehuara po e vështirësojnë edhe më shumë këtë proces.

Avokatja Bedrie Rexhepi, e cila trajton raste të dhunës në familje, në një intervistë për Indeksonline ka folur për mënyrën se si trajtohen këto raste në Kosovë, duke vënë në pah problemet me të cilat përballen institucionet përgjegjëse.

Duke folur për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale, Rexhepi ka thënë se ato përballen me mungesë të theksuar të stafit, financimit dhe profesionalizimit. Sipas saj, një pjesë e madhe e këtyre qendrave nuk kanë as psikologë, ndonëse ky profesionist është i domosdoshëm për trajtimin e rasteve.

Një tjetër problem, sipas saj, është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, përfshirë Qendrat për Punë Sociale, Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat.

Duke komentuar edhe rastin tragjik në Gjilan, ku një foshnjë u gjet pa shenja jete bashkë me babanë e saj, e që aktualisht është nën hetime, Rexhepi ka theksuar rëndësinë e vlerësimit të saktë të rrezikshmërisë dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve.

Ajo ka vlerësuar se asnjë institucion nuk mund ta trajtojë i vetëm një rast të dhunës në familje, pasi mbrojtja e viktimave kërkon funksionimin e një zinxhiri të tërë institucional.

Për më shumë ndiqeni intervistën: