**MINTI dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë**
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Banka Botërore kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë. Kjo nismë synon transformimin e zonave industriale aktuale në hapësira prodhimi, inovacioni dhe zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, bën të ditur Ekonomia Online.
Ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se zhvillimi industrial nuk duhet vlerësuar vetëm nga kapacitetet prodhuese, por edhe nga mënyra e shfrytëzimit të burimeve, energjisë dhe menaxhimit të mbeturinave.
“Industria e së ardhmes nuk matet vetëm nga sasia e prodhimit, por edhe nga mënyra e tij, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të energjisë, mbeturinave dhe menaxhimit të tyre. Përfshirja e komponentës mjedisore në thelb të zhvillimit industrial, përveçse është një udhërrëfyes i politikave tona zhvillimore, është domosdoshmëri për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve dhe integrimin e tyre në tregjet evropiane,” deklaroi Kusari-Lila.
Ajo theksoi se gjatë viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka investuar në zhvillimin e parqeve industriale, infrastrukturë dhe krijimin e hapësirave për avancimin e bizneseve. Marrëveshja e re synon ta çojë këtë proces një hap më tej.
“Gjatë viteve të fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar në zhvillimin e parqeve industriale, infrastrukturë dhe në krijimin e hapësirave për avancimin e bizneseve dhe progresin tonë. Tani synojmë ta çojmë këtë proces një hap më tej, duke i shndërruar këto hapësira në qendra të prodhimit të qëndrueshëm, inovacioni dhe zhvillimit ekonomik e social,” u shpreh ministrja.
Kusari-Lila shtoi se ky vizion përputhet me potencialin ekonomik të identifikuar në raportin e publikuar së fundmi nga IFC dhe Banka Botërore, i titulluar “Country Private Sector Diagnosis.”
Sipas raportit, përmes reformave të synuara në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, shërbimeve të biznesit dhe prodhimit të komponentëve të ndërtimit, Kosova ka potencial të mobilizojë investime private në vlerë prej 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarë dhe të krijojë nga 61 mijë deri në 87 mijë vende të reja pune, direkte dhe indirekte, në periudhën afatmesme.
Ministrja theksoi se Eko-Parqet Industriale do t’u ofrojnë bizneseve infrastrukturë moderne dhe të integruar, qasje më të besueshme në energji, ujë, transport dhe shërbime të përbashkëta, si dhe mundësi për përdorim më efikas të energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme.
Një ndër elementet thelbësore të këtij transformimi, sipas Kusari-Lilës, është ekonomia qarkore dhe simbioza industriale, përmes të cilave ndërmarrjet mund të bashkëpunojnë duke shfrytëzuar mbetjet dhe burimet e njëra-tjetrës.
“Ekonomia qarkore zë një vend thelbësor në këtë transformim. Synojmë të kalojmë nga modeli linear i prodhimit dhe konsumit drejt një modeli ku materialet dhe burimet mbahen në përdorim sa më gjatë të jetë e mundur, ripërtëriten dhe riciklohen. Përmes simbiozës industriale, ndërmarrjet brenda një zone mund të bashkëpunojnë dhe të përfitojnë nga kapacitetet e njëra-tjetrës. Mbetjet e një ndërmarrjeje mund të shërbejnë si lëndë e parë për një tjetër. Kjo nënkupton më pak humbje, më pak ndotje, kosto më të ulëta dhe më shumë vlerë të shtuar për ekonominë tonë,” theksoi Kusari-Lila.
Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të Eko-Parqeve Industriale, duke theksuar ndërlidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe mundësitë për qasje në tregun e përbashkët evropian.
Ai rikujtoi se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor parashikon gjashtë miliardë euro mbështetje shtesë për rajonin, prej të cilave 882 milionë euro janë caktuar për Kosovën. Megjithatë, Schuebel nënvizoi se qëllimi kryesor i kësaj nisme është krijimi i mundësive për një integrim më të madh ekonomik dhe qasje në tregun e vetëm të BE-së.
“Bashkimi Evropian, para pak vitesh, prezantoi të ashtuquajturin Plan të Rritjes, përmes të cilit u shtuan jo vetëm gjashtë miliardë euro burime shtesë për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë 882 milionë euro për Kosovën, por ideja thelbësore pas kësaj është qasja në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian. Kjo është forca shtytëse që mund të gjenerojë rritje të vërtetë, përtej hapësirës fiskale që mund të sigurojmë për të lehtësuar rritjen e Republikës së Kosovës,” deklaroi Schuebel.
Sipas ambasadorit, qasja në tregun evropian nuk është automatike dhe nuk duhet kuptuar si një mundësi e ofruar pa kushte, pasi kërkon konkurrueshmëri të lartë dhe aftësi për të përmbushur standardet e tregut.
“Qasja në tregun e vetëm të BE-së nuk është diçka që ofrohet në pjatë të argjendtë, në kuptimin që ky është një rajon i mbrojtur dhe ju keni qasje të garantuar. Përkundrazi, kjo kërkon konkurrueshmëri të lartë, sepse në të kundërtën, efekti mund të jetë i kundërt, pasi pa tregje të mbrojtura do ta keni më të vështirë qasjen në tregjet e Bashkimit Evropian,” tha ai.
Schuebel theksoi se në fund, është vetë tregu ai që përcakton aftësinë e një vendi për të tërhequr investitorë, për të eksportuar produkte dhe për të zhvilluar prodhimin vendor, duke zëvendësuar kështu një pjesë të importeve.
“Është tregu ai që vendos nëse një vend është në gjendje të tërheqë investitorë, të eksportojë mallra dhe të prodhojë për tregun e Kosovës në vend të importeve. Prandaj, unë mendoj se rëndësia e parqeve eko-industriale është e jashtëzakonshme, pasi ato mundësojnë një angazhim të përbashkët për një të ardhme ekonomike konkurruese, efikase në burime dhe të qëndrueshme. Këta përbërës duhet të integrohen së bashku,” u shpreh ambasadori.
Ai shtoi se zhvillimi i parqeve eko-industriale nuk është vetëm një qasje e rekomanduar nga Bashkimi Evropian për Kosovën, por një model që po promovohet dhe zbatohet edhe brenda vetë vendeve anëtare të BE-së.
“Kjo është një qasje që po promovohet gjerësisht brenda Bashkimit Evropian aktualisht. Pra, ne nuk po predikojmë këtu diçka që mendojmë se është një qasje e mirë vetëm për Kosovën, por është e njëjta qasje që po tentojmë ta zbatojmë, shpesh me vështirësi – duhet ta pranoj – edhe në vendin tim, në Austri, për shembull. Kjo nuk është e lehtë, sepse gjithmonë bëhet fjalë për përpjekjen për të konkurruar me vende dhe tregje të tjera, të cilat mund të mos i vendosin standardet mjedisore në plan të parë dhe mund të kenë një avantazh krahasues sa i përket kostove,” shtoi Schuebel.
