Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për rregullatorin e energjisë dhe dy marrëveshje financiare
Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi një mbledhje elektronike, gjatë së cilës miratoi Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë.
Ky projektligj përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, përfshirë statusin, organizimin e brendshëm dhe financimin e saj. Ai, ndër të tjera, parashikon monitorimin e funksionimit të tregjeve të energjisë, dhënien e licencave dhe certifikimin në sektorin e energjisë, miratimin e tarifave dhe metodologjive tarifore, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij dhe ligjeve të tjera përkatëse.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria miratoi edhe nismën për Marrëveshjen e Grantit ndërmjet Kosovës (e përfaqësuar nga Ministria e Financave), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), të cilat veprojnë së bashku si Administratorë të Komisionit Evropian. Kjo marrëveshje synon Projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë Energjetike.
Gjithashtu, u miratua nisma për Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës (përmes Ministrisë së Financave) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Prishtinë.
