**Protestë Kombëtare Kundër Femicidit: Kërkohet Llogaridhënie Institucionale dhe Mbrojtje Efektive për Gratë**

Të shtunën, në Prishtinë, një protestë kombëtare kundër vrasjes së grave, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, vuri në pah përgjegjësinë institucionale, mosveprimin e organeve shtetërore përballë rasteve të dhunës dhe domosdoshmërinë për shtimin e punëtorëve socialë në komuna. Aktiviteti u mbajt para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke mbledhur gra dhe vajza me thirrje për drejtësi dhe masa konkrete.

Gjatë protestës, Saranda Sadikaj dhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës kërkuan llogaridhënie institucionale dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.

Sadikaj kritikoi mënyrën se si institucionet dhe shoqëria reagojnë vetëm pas vrasjes së grave, duke theksuar se jeta e tyre nuk trajtohet me seriozitetin e duhur derisa ato janë ende gjallë. “Jeta e një gruaje vajtohet pasi ajo të jetë vrarë: me lule, me fjalime, me ngushëllime zyrtare e me konferenca që e përmbajnë tonin e ftohtë të protokollit. Para vrasjes, ajo nuk llogaritet,” deklaroi ajo.

Ajo kujtoi rastin e Diana Kastratit, e cila në vitin 2011 kërkoi urdhër për mbrojtje emergjente, por u vra 22 ditë më vonë pa marrë përgjigje nga gjykata. “Kjo nuk është histori e vetme. Diana Kastrati, më 26 prill 2011, kërkoi urdhër për mbrojtje emergjente. Gjykata nuk iu përgjigj. Njëzet e dy ditë më vonë, Diana u vra. Në vitin 2013, Gjykata Kushtetuese konstatoi se mosveprimi i gjykatës e kishte shkelur të drejtën e saj për jetë. Sot, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, aktakuza është ngritur në mungesë, dhe policia u kërkon qytetarëve ndihmë për të gjetur të akuzuarin. Diana kërkoi mbrojtje nga shteti dhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh shteti kërkon ndihmën tonë,” tha Sadikaj.

Ndërkaq, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës kërkoi shtimin e punëtorëve socialë në komuna, duke theksuar se për këtë nevojiten 444 mijë euro në vit nga buxheti i shtetit. “Kemi kërkuar së paku dy punëtorë socialë shtesë në secilën komunë dhe katër në Prishtinë, për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. A është kjo shumë e madhe për sigurinë e grave dhe fëmijëve? Por nuk kërkojmë vetëm më shumë punëtorë socialë. Kërkojmë edhe investim serioz në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale. Punëtorët socialë janë menaxherë të rasteve të dhunës ndaj grave. Ata duhet të dinë ta vlerësojnë rrezikun, të planifikojnë sigurinë dhe të koordinojnë mbrojtjen, me qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe pa paragjykime gjinore,” u shpreh ajo.

Berisha kërkoi gjithashtu llogaridhënie për rastet kur Qendrat për Punë Sociale nuk i përmbushin përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. “Qendrat për Punë Sociale kanë përgjegjësi të qartë për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Kur kjo përgjegjësi neglizhohet, kur rastet nuk trajtohen me seriozitet dhe kur nuk ndërmerren veprimet e nevojshme, duhet të ketë përgjegjësi profesionale dhe institucionale. Nuk mund të pranojmë që gratë të paguajnë me sigurinë dhe jetën e tyre çmimin e neglizhencës institucionale,” tha ajo.

Në fund, Berisha paraqiti tri kërkesa konkrete:
1. Më shumë investim në shërbime sociale: Së paku dy punëtorë socialë shtesë në secilën komunë dhe katër në Prishtinë.
2. Investim në kapacitetet profesionale: Trajnim dhe aftësim i vazhdueshëm i punëtorëve socialë për menaxhimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
3. Llogaridhënie institucionale: Mbikëqyrje dhe përgjegjësi konkrete kur profesionistët dhe institucionet nuk e përmbushin detyrimin për mbrojtjen e grave.

Protesta kombëtare u organizua pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, me qëllim kërkimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale për rastin, si dhe për të nxitur masa më të fuqishme në mbrojtjen e grave nga dhuna.