Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ka njoftuar se avioni i saj eksperimental supersonik X-59 ka udhëtuar sot nga Birmingham, Alabama, drejt Daytona Beach në Florida.
Ky avion është projektuar për të fluturuar më shpejt se shpejtësia e zërit, por pa prodhuar zhurmën e fuqishme të njohur si “bumi supersonik”. Në vend të saj, X-59 synon të krijojë vetëm një zhurmë të lehtë, duke hapur mundësi për një epokë të re të transportit ajror me shpejtësi më të lartë.
Përmes një njoftimi, NASA ka bërë të ditur se po përgatitet ta prezantojë avionin në eventin “Max Power”, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të publikojë më shumë informacione rreth tij.
“Po përgatitemi ta prezantojmë X-59 në eventin ‘Max Power’ dhe së shpejti do t’ju sjellim më shumë të reja”, thuhet në njoftimin e NASA-s.
Projekti X-59 është pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar teknologji që do të mundësonin rikthimin e fluturimeve komerciale supersonike, duke reduktuar ndotjen akustike dhe ndikimin e zhurmës mbi komunitetet në tokë.
