**Superliga e Kosovës: Dita e dy derbive, Drenica pret Dritën, Vushtrria sfidon liderin Prishtina**
Superliga e Kosovës rikthehet sot me dy përballje tejet interesante, të cilat pritet të sjellin emocione të mëdha. Në qendër të vëmendjes janë takimet Drenica – Drita dhe Vushtrria – Prishtina.
Të dyja ndeshjet janë planifikuar të zhvillohen duke nisur nga ora 13:00. Ato premtojnë dramë dhe rivalitet të fortë në garën për pikë jetike në kampionat.
Drita udhëton në Skënderaj me objektivin e qartë për të marrë tri pikë. Gjilanasit aktualisht zënë vendin e tretë me 23 pikë, gjashtë më pak se lideri Prishtina, por me një ndeshje më pak të luajtur. Nga ana tjetër, Drenica pozicionohet në vendin e tetë me 11 pikë dhe ka një nevojë urgjente për pikë për t’u shkëputur nga zona e fundit e tabelës.
Përballja tjetër me rëndësi të veçantë është ajo mes Vushtrrisë dhe Prishtinës. Kryeqytetasit udhëheqin renditjen me 29 pikë nga 12 ndeshje dhe synojnë të vijojnë serinë e rezultateve pozitive për të mbajtur distancën nga ndjekësit. Ndërkaq, Vushtrria pozicionohet në vendin e fundit me vetëm 3 pikë dhe do të kërkojë të befasojë liderin e kampionatit. (Burimi: Indeks Online)
