Ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas votimit të propozimit që lidhet me shfrytëzimin e hapësirave në lagjen Ulpiana për nevoja të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sahatçiu ka kritikuar vendimin, duke thënë se në Prishtinë ka hapësira të shumta të betonizuara që, sipas saj, mund të shfrytëzohen për një nevojë të përkohshme, pa prekur një lagje dhe hapësirat e saj.

“Me gjithë hapësirat e betonizuara që i ka Prishtina, me shku me prek një lagje si Ulpiana për me akomodu një ngjarje që ndodh veç një herë, është e pafalshme”, ka shkruar Sahatçiu.

Ajo ka shtuar se mijëra metra katrorë hapësira të tjera mund të përshtaten për nevoja të përkohshme që lidhen me Lojërat Mesdhetare 2030.

Sahatçiu ka thënë se e ka ndjekur seancën e Kuvendit Komunal për të kuptuar arsyetimin e votimit, ndërsa ka shprehur bindjen se në ditët në vijim mund të publikohen edhe pamje dhe projekte që synojnë të bindin qytetarët se hapësirat e gjelbra në Ulpianë do të ruhen apo edhe shtohen.

Në reagimin e saj, ajo e ka lidhur këtë vendim edhe me zhvillimet politike dhe koalicionet në nivel komunal, duke fajësuar Përparim Ramën dhe Uran Ismailin.

“Dorën në zemër, nuk do të duhej me më çudit as votimi i këtij propozimi. Sepse, kështu është kur i shkel parimet për me u kthy prapë në të njëjtin koalicion”, ka shkruar Sahatçiu.