Interi po përballet me probleme serioze me dëmtimet në fillim të ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Brenda pak orësh, zikaltërit kanë humbur tre futbollistë, duke shtuar shqetësimet për trajnerin Cristian Chivu.
Pas Lautaro Martinezit, i cili tashmë është jashtë fushave, probleme fizike kanë pësuar edhe Ange-Yoan Bonny, Marcus Thuram dhe Aleksandar Stankovic, shkruan Indeksonline.
Klubi italian ka konfirmuar se Bonny ka pësuar një tërheqje muskulore në muskujt fleksorë të kofshës së djathtë. Sipas vlerësimeve fillestare, sulmuesi franko-ivorian pritet të mungojë për të paktën tri javë.
Probleme ka edhe Marcus Thuram, i cili ndjeu shqetësime në muskulin biceps femoris të këmbës së djathtë gjatë fitores ndaj Comos. Pas ekzaminimeve mjekësore, stafi i kombëtares franceze, në koordinim me Interin dhe lojtarin, vendosi ta largojë atë nga grumbullimi dhe ta kthejë në Milano.
Ndërkohë, futbollisti i tretë është Aleksandar Stankovic, i cili ka lënë grumbullimin e kombëtares së Serbisë.
Federata Serbe konfirmoi se mesfushori ka pësuar dëmtim në muskulin aduktor të kofshës së djathtë, pasi kishte ndier dhimbje në zonën e ijës gjatë stërvitjes.
Kështu, Interi duhet të presë ekzaminimet e mëtejshme për të mësuar kohën e saktë të rikuperimit të futbollistëve, ndërsa dëmtimet në repartin ofensiv janë një shqetësim i veçantë për skuadrën zikaltër. /IndeksOnline/
