**Vazhdon Gjykimi për Krime Lufte: Jusuf Shujaku Akuzohet për Vrasjen e Civilëve në Gjakovë**

Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është mbajtur seanca e radhës ndaj Jusuf Shujakut, i cili po gjykohet me akuzën për krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.

Prokuroria Speciale e ngarkon Shujakun se, gjatë viteve 1998-1999, në disa fshatra të komunës së Gjakovës, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer vrasje, dëbim masiv të popullatës civile shqiptare dhe shkatërrim të pronës së tyre.

Sipas aktakuzës, e cila daton më 24 janar 2025, një nga rastet kyçe për të cilat akuzohet Shujaku lidhet me ngjarjen e 10 majit 1999, në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë, ku pretendohet se u vranë tre persona.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se, po atë ditë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, në mesin e të cilëve pretendohet se ishte edhe Shujaku, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e familjes Dyla. Atje, sipas aktakuzës, dy persona me inicialet C.H. dhe I.L. u vranë në oborrin e shtëpisë, ndërsa M.D. u gjet i vrarë brenda saj.

Më vonë, trupat e C.H. dhe I.L. u zbuluan në varrezën masive të Batajnicës në Serbi dhe identifikimi i tyre u bë nëpërmjet analizave të ADN-së.

Gjithashtu, theksohet se pjesëtarët e tjerë të familjes Dyla ishin detyruar të braktisnin shtëpinë, e cila më pas u plaçkit dhe u dogj.

Për këto veprime, Prokuroria e akuzon Shujakun për veprën penale të krimit të luftës kundër popullatës civile, në bashkëkryerje.

Jusuf Shujaku prezumohet i pafajshëm dhe konsiderohet i tillë derisa fajësia e tij të vërtetohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.