Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidentët Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping pritet të takohen javën e ardhshme në Kinë, në kuadër të një samiti.

Ky takim, i konsideruar historik mes krerëve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, do të zhvillohet në qytetin kinez Shenzhen, gjatë pjesëmarrjes së Presidentit Trump në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Zëdhënësja Olivia Wales deklaroi para gazetarëve se Presidenti Trump ka theksuar se, ndër të tjera, do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave ai e konsideron tepër të rrezikshme.

Gjatë këtij takimi të fuqive kryesore bërthamore, pritet të diskutohet edhe për çështjen e Iranit, por jo për atë të Ukrainës. Rusia e ka konfirmuar takimin, ndërkohë Kina ende nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar.

Agjencitë e lajmeve AP dhe Reuters raportojnë se, sipas një zyrtari të lartë amerikan që preferoi të mbetej anonim, nuk pritet që nga këto bisedime të rezultojë ndonjë marrëveshje madhore.

CNN transmeton se Presidenti Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për të marrë pjesë në samitin dyditor me 21 vendet anëtare. Ai gjithashtu do të zhvillojë bisedime dypalëshe me homologun kinez Xi Jinping të enjten. Ky do të shënojë takimin e tyre të katërt që nga rikthimi i Presidentit amerikan në detyrë në vitin 2025.