Jusuf Shujaku ka përfunduar dëshminë në gjyqin për krime lufte; fjala përmbyllëse mbahet më 8 dhjetor 2026

I akuzuari për krime lufte, Jusuf Shujaku, do të paraqesë fjalën e tij përmbyllëse më 8 dhjetor 2026, në seancën që do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca gjyqësore është caktuar të nisë në orën 08:30. Me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse, procesi hyn në fazën e fundit para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, raporton IndeksOnline.

Gjatë seancës së sotme, Shujaku kërkoi të fliste para trupit gjykues për të paraqitur versionin e tij mbi ngjarjen.

“Po të isha kriminel dhe t’i kisha duart e përlyera, nuk do të isha kthyer kurrë në Gjakovë e as në Kosovë. Por jam i pastër para Zotit dhe para gjykatës. Nuk kam asgjë për të fshehur”, deklaroi ai.

Më tej, ai dëshmoi edhe për jetën e tij pas luftës, duke treguar se në vitin 2001 kishte shitur banesën në Gjakovë dhe më pas kishte blerë një banesë në Novi Pazar të Serbisë. Gjithashtu, ai deklaroi se gjatë luftës ishte larguar nga Gjakova dhe kishte shkuar në Mal të Zi.