Gazetari shqiptar Syrjan Rahova ngjall debat me përdorimin e muzikës së Cecës
Gazetari shqiptar nga Tirana, Syrjan Rahova, ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale, pasi në një video të publikuar në TikTok, ai ka përdorur si sfond muzikor këngën “Trepni” të këngëtares serbe Ceca. Kënga është shfaqur në një version të remiksuar që qarkullon në platformë dhe i atribuohet DJ-it suedez, KAAZE.
Përzgjedhja e kësaj kënge ka ngjallur kritika të forta, duke marrë parasysh figurën kontroverse të këngëtares dhe qëndrimet e saj ndaj Kosovës ndër vite.
Svetlana Raznatoviç, e njohur ndryshe si Ceca, ishte bashkëshortja e Zeljko Raznatoviçit, i njohur si Arkani, komandant i formacionit paramilitar serb famëkeq “Tigrat e Arkanit”. Ky i fundit u akuzua për krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi nga Gjykata e Hagës, por u vra në Beograd në janar të vitit 2000, pa u përballur me drejtësinë.
Edhe vetë Ceca, ndër vite, nuk ka ngurruar të shprehë publikisht qëndrimet e saj nacionaliste. Në dhjetor të vitit 2018, këngëtarja mbajti një koncert në veri të Mitrovicës, në mbështetje të protestave të serbëve kundër taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës mbi produktet serbe.
Në vitin 2020, ajo sulmoi verbalisht edhe Dua Lipën, pas postimeve të artistes shqiptare lidhur me Kosovën, duke e cilësuar atë si injorante. Madje, në vitin 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri i kishte tërhequr zyrtarisht vërejtjen Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për transmetimin e këngëve të Cecës, duke argumentuar se këngëtarja, përmes deklaratave dhe muzikës së saj, kishte mbështetur veprimet e Arkanit.
Në këtë kontekst, përdorimi i muzikës së saj nga një gazetar shqiptar ngre pikëpyetje serioze, që tejkalojnë preferencat thjesht muzikore apo trendet e momentit në TikTok. Mbetet e paqartë nëse gazetari Rahova e ka përdorur këngën e Cecës nga injoranca për faktet historike, apo me vetëdije të plotë për figurën kontroverse që ajo përfaqëson.
