Vlora Çitaku e Bedri Hamza takohen me Kurtin, para rishqyrtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara

Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe ish-kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, po zhvillojnë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë. Kështu bëjnë të ditur burime për Ekonomia Online.

Ky takim po mbahet në ditën kur Kuvendi i Kosovës pritet të rishqyrtojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky ligj, me numër 11/L-001, i ishte kthyer Kuvendit nga presidentja e Republikës së Kosovës për rishqyrtim. Rishqyrtimi i këtij ligji është përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme të Kuvendit.