Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi klubi saudit Al-Ittihad raportohet se ka rikthyer interesimin për shërbimet e futbollistit kosovar dhe po përgatit një ofertë të re.

Skuadra nga Liga Profesionale Saudite e ka ndjekur Zhegrovën që nga fundi i sezonit të kaluar. Gjatë merkatos së verës, Al-Ittihad kishte tentuar ta transferonte atë, siç raportohet nga “JuveFC” dhe “Yahoo”.

Edhe pse Zhegrova ishte i gatshëm të transferohej në Arabinë Saudite, interesimi i Al-Ittihadit u shua më pas, duke bërë që futbollisti kosovar të mbetej në Torino, pavarësisht dëshirës së Juventusit për ta shitur.

Megjithatë, situata e tij te “Zonja e Vjetër” ka marrë një kthesë pozitive, falë paraqitjeve inkurajuese në muajt e fundit, sidomos kur është aktivizuar si zëvendësues. Zhegrova ka dëshmuar se mund të ndikojë në rrjedhën e ndeshjeve kur futet në lojë nga stoli, por paraqitjet e tij nuk kanë qenë aq bindëse kur ka filluar takimet si titullar.

Juventusi kërkon lojtarë sulmues që mund të sigurojnë vazhdimësi dhe ndikim që në minutat e para. Deri më tani, Zhegrova nuk ka arritur të dëshmojë aftësinë për ta bërë këtë rregullisht, duke e bërë klubin të mos e përjashtojë largimin e tij.

Sipas mediumit italian “Tuttojuve”, Al-Ittihad ka rikthyer interesimin për reprezentuesin e Kosovës dhe synon seriozisht transferimin e tij gjatë merkatos së janarit. Ky zhvillim shihet si një lajm i mirë për Juventusin, që synon të shesë Zhegrovën dhe t’i përdorë të ardhurat për të përforcuar sulmin. Largimi i tij do t’i krijonte gjithashtu hapësirë “bardhezinjve” për të afruar një tjetër futbollist.

Nga ana tjetër, për futbollistin kosovar, interesimi i klubit saudit mund të përfaqësojë një mundësi të artë për të ringjallur karrierën, pasi nuk ka arritur të sigurojë një vend titullar të rregullt në formacionin e Juventusit.