Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona, A.U. dhe L.I., të dyshuar për grabitjen e dy argjendarive në qytet.

Sipas njoftimit të gjykatës, ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “Grabitjes”, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Rasti i parë ka ndodhur më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë. Të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur, dyshohet se e kishin planifikuar grabitjen dhe kishin përdorur një automjet me targa të vjedhura. Gjatë kësaj grabitjeje, njëri prej tyre, i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar pronarin dhe nënën e tij. Ndërkohë, tjetri kishte thyer vitrinat me çekan dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro para të gatshme.

Grabitja e dytë dyshohet se ka ndodhur më 16 nëntor 2026, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga” po në Gjakovë. Sipas kërkesës së prokurorisë, dyshohet se të dyshuarit kishin vepruar në të njëjtën mënyrë, duke përdorur një automjet me qira dhe targa të vjedhura.

Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., me armë automatike, kishte kërcënuar të dëmtuarin M.S. dhe familjarët e tij, ndërsa L.I., me çekan, kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët. Gjatë grabitjes, i dëmtuari Sh.V. kishte ndërhyrë, dhe ndaj tij A.U. kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Pas kësaj, të dyshuarit ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Masa e paraburgimit, e caktuar nga gjykata, do të zgjasë nga 17 nëntori deri më 17 dhjetor 2026.