Muhamet Hasani shpallet i pafajshëm nga Gjykata: “Kërkova vetëm drejtësi dhe sot e mora atë!”

Muhamet Hasani ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuzat, pas një procesi gjyqësor që, sipas tij, ka qenë i gjatë dhe emocionalisht i rëndë.

Përmes një reagimi publik, Hasani ka shprehur kënaqësinë për vendimin e gjykatës, duke theksuar se gjatë gjithë kësaj kohe ka besuar fort në pafajësinë e tij dhe në drejtësinë e vendit.

Ai ka shpjeguar se ishte përballur me akuza në një rast të rëndë kriminal, ku persona të tjerë dyshohej se kishin fshehur lëndë narkotike në mallrat e transportuara nga Turqia. Hasani thekson se pronësia e një kompanie transporti mallrash e kishte vënë atë nën akuzë, edhe pse, siç pretendon ai, nuk kishte pasur asnjë përfshirje në veprimtarinë kriminale. Këtë detaj e ka ndarë në një postim në Facebook.

“Pronësia e një kompanie nuk është krim! Të ofrosh shërbime transporti nuk të bën trafikant! Dhe askush nuk duhet të përgjigjet penalisht për veprimet e të tjerëve pa u provuar fajësia e tij,” ka shkruar Hasani.

Ai ka bërë të ditur se, ndërsa vetë është liruar, personat e tjerë të përfshirë në të njëjtin rast janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykata.

Në reagimin e tij, Hasani ka përshkruar edhe vështirësitë personale dhe familjare gjatë periudhës së përballjes me drejtësinë, duke theksuar se akuzat kishin rënduar mbi të dhe familjen, si dhe kishin dëmtuar reputacionin e ndërtuar ndër vite.

Ai ka falënderuar trupin gjykues, familjen, miqtë dhe ekipin e tij ligjor, të cilët, siç theksoi ai, i qëndruan pranë gjatë gjithë procesit.

Hasani ka rikujtuar edhe fjalët që ua kishte drejtuar gjyqtarëve në përfundim të procesit gjyqësor: “Nga ju pres vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër!”

Pas vendimit lirues, ai ka deklaruar se kërkesa e tij e vetme tashmë është përmbushur.

Në fund të reagimit, Hasani ka bërë thirrje që askush të mos paragjykohet dhe të mos gjykohet publikisht pa u vërtetuar fajësia, duke theksuar se pas çdo personi të përmendur në lajme qëndron një familje që përjeton pasojat e rënda të akuzave.

“Unë isha i njëjti njeri dje, jam i njëjti sot dhe do të mbetem i njëjti nesër. Akuzat nuk e ndryshojnë të vërtetën, ashtu siç heshtja nuk është pranim i fajësisë,” ka përfunduar Hasani.

“Heshta unë, që të fliste drejtësia. Sot drejtësia foli,” është mesazhi me të cilin Muhamet Hasani e ka përmbyllur reagimin e tij pas lirimit nga akuzat.