Vojislav Sheshelj në Polici për Deklaratat rreth Rada Trajkoviqit
**BEOGRAD** – Vojislav Sheshelj, lideri i Partisë Radikale Serbe (SRS), është thirrur për një intervistë informative në polici, pas një kërkese nga Prokuroria e Parë Themelore.
Sheshelj bëri të ditur se agjentë policie e vizituan mbrëmjen e kaluar në shtëpinë e tij për t’i dorëzuar ftesën, duke e paralajmëruar se, në rast mosparaqitjeje, do të dërgohej me forcë në stacionin policor.
Ai konfirmoi se sot u paraqit në stacionin policor “29 Nëntori”, ku dha dëshmi.
Sipas mediave serbe, lideri radikal është thirrur në polici për shkak të deklaratave të bëra në nëntor të vitit 2022, lidhur me Rada Trajkoviqin. Gjatë një paraqitjeje në televizionin Pink, Sheshelj kishte sugjeruar se Trajkoviq mund të përballej me një rrezik të ngjashëm me atë të Oliver Ivanoviqit.
Konkretisht, ai kishte pretenduar se “autoritetet shqiptare në Kosovë mund ta emëronin Trajkoviqin në një post ministror, pastaj ta vrisnin dhe t’ia atribuonin vrasjen Beogradit”.
Më vonë, Sheshelj i kishte interpretuar fjalët e tij si një paralajmërim, duke mohuar se kishte pasur qëllim ta kërcënonte apo t’i rrezikonte jetën Trajkoviqit.
Trajkoviq kishte paraqitur një kallëzim penal kundër tij në vitin 2022, duke shprehur shqetësim të thellë për sigurinë e saj.
Sheshelj, themelues dhe kryetar i SRS-së, është dënuar përfundimisht nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare me dhjetë vjet burgim për krime kundër njerëzimit. Dënimi lidhej me një fjalim të mbajtur në maj të vitit 1992, përmes të cilit ai kishte nxitur dëbimin dhe persekutimin e kroatëve nga fshati Hrtkovci në Vojvodinë.
Burimi: /Nova
