**Limaj viziton Kilajn pas pafajësisë, kërkon angazhim për kthimin e bashkëluftëtarëve të tjerë**
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, vizitoi sot ish-bashkëluftëtarin e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Isni Kilajn, pas shpalljes së pafajësisë së Kilajt.
Përmes një postimi në platformën “Facebook”, Limaj njoftoi se vizita u realizua së bashku me bashkëpunëtorët e tij, duke e përgëzuar Kilajn për qëndresën dhe forcën e treguar gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
“Isniu, njësoj si shumë bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, për një kohë të gjatë u përball me një proces të padrejtë në Hagë, duke kaluar një periudhë tejet të vështirë për të dhe familjen e tij,” shkroi Limaj. “Sot, pas shpalljes së pafajësisë, pata kënaqësinë ta takoj dhe ta përgëzoj për qëndresën e tij.”
Limaj theksoi se angazhimi për drejtësi dhe kthimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore duhet të vazhdojë me intensitet të plotë.
“Duhet të punojmë me çdo mjet demokratik dhe juridik që, në shkallën e apelit, të vërtetohet pafajësia e katër drejtuesve të UÇK-së dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë që po përballen me këto procese, në mënyrë që të gjithë të kthehen të pafajshëm në Kosovë,” deklaroi Limaj.
