Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka ngritur alarmin se projekti i organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” ndodhet para dështimit dhe se Kosova rrezikon realisht t’i merret e drejta e organizimit të këtij eventi madhor sportiv.
Përmes një letre publike drejtuar Kryeministrit dhe Kryesuesit të Komitetit Organizativ, e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Besim Aliti, KOK-u ka bërë të ditur se anulimi i takimit të planifikuar në Athinë me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka rënduar skajshmërisht situatën. Sipas KOK-ut, ky dështim diplomatik e institucional erdhi si pasojë e mungesës së delegimit me kohë të përfaqësuesve institucionalë.
Data kritike për fatin e Lojërave është 19 dhjetori 2026, kur Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do të mblidhet dhe do të shqyrtojë zyrtarisht ndërprerjen e së drejtës së organizimit nga Kosova.
Në dokumentin e publikuar, KOK-u vë në pah se një ndër pengesat kryesore mbetet mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj ICMG-së, për të cilat fatura është dërguar qysh në qershor të vitit 2026.
Këto obligime burojnë nga amendamentet e nënshkruara në dhjetor 2025 me pajtimin e të tri palëve (KOK-ut, Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës), dhe janë të reflektuara në Buxhetin Operativ prej 253 milionë eurosh.
Njëherësh, KOK-u ka shprehur shqetësim të thellë për referencat e bëra në mbledhjen e fundit të Qeverisë lidhur me pretendimet për korrupsion në kuadër të këtij projekti. Komiteti ka garantuar se nuk ka pasur parregullsi dhe ka vënë në dispozicion kapacitetet e tij për të sqaruar çdo dyshim, duke paralajmëruar se këto përplasje po e çojnë projektin drejt greminës.
“Nuk duhet të lejojmë që dyshimet e paqarta, dezinformimet dhe këshillat e gabuara, mungesa e transparencës apo moskoordinimi institucional të dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e këtij projekti“, thuhet në reagim.
Duke vlerësuar se ndërhyrja personale e Kryeministrit është e domosdoshme për të zhbllokuar proceset dhe për të bashkuar institucionet, KOK-u ka kërkuar një takim urgjent të KOLM-it para mbledhjes vendimtare të 19 dhjetorit.
“Humbja e Lojërave Mesdhetare do të ishte një humbje e madhe për sportin, zhvillimin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo është një mundësi historike që nuk duhet ta humbasim për shkak të mungesës së koordinimit, vendimmarrjes apo vullnetit institucional“, përfundon letra e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Letra e plotë:
I nderuar Kryeministër,
I nderuar Kryesues i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare,
Komiteti Olimpik i Kosovës dëshiron të shprehë shqetësimin e thellë lidhur me situatën aktuale në të cilën ndodhet projekti i organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe me rrezikun real që Kosova të humbasë të drejtën e organizimit të këtij eventi madhor sportiv.
Jemi veçanërisht të shqetësuar me anulimin e takimit të planifikuar në Athinë me përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Ky takim ishte paraparë të shërbente për përmirësimin e komunikimit dhe marrëdhënieve me ICMG-në, adresimin e çështjeve të hapura dhe krijimin e bazave të qëndrueshme për vazhdimin e projektit. Anulimi i tij ka vështirësuar edhe më shumë situatën, duke marrë parasysh se më 19 dhjetor 2026 mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të ICMG-së, në të cilën do të shqyrtohet edhe ndërprerja e së drejtës së organizimit të Lojërave nga Kosova.
Bazuar në këtë, dëshirojmë të theksojmë se Komiteti Olimpik i Kosovës, në mbledhjen e fundit të KOLM-it, ka dëshmuar qartë gatishmërinë dhe vullnetin e plotë për bashkëpunim ndërinstitucional. Kemi mbështetur nevojën për bashkimin e të gjitha institucioneve, koordinimin e interesave dhe angazhimin e përbashkët për të tejkaluar sfidat aktuale. Për këtë arsye, kemi mbështetur edhe disa vendime të rëndësishme që hapin rrugën për adresimin e çështjeve të cilat deri më tani kanë paraqitur pengesa në proces.
- Rishikimi i Masterplanit dhe harmonizimi me Bidding Book-un
Komiteti Olimpik e konsideron të natyrshme që gjatë përgatitjeve për një ngjarje të përmasave të tilla të ketë ndryshime ndërmjet Masterplanit aktual dhe dokumentit fillestar të kandidaturës (Bidding Book). Këto mospërputhje nuk duhet të konsiderohen si pengesa të pakapërcyeshme, por si çështje që kërkojnë koordinim institucional dhe negocim me ICMG-në.
Në këtë drejtim, kemi mbështetur edhe përfshirjen më të gjerë të komunave të tjera të Kosovës në organizimin e Lojërave, duke qenë se kjo mundësi është komunikuar edhe me ICMG-në. Natyrisht, ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me kriteret dhe kërkesat përkatëse, përfshirë kapacitetet infrastrukturore, transportin dhe infrastrukturën rrugore.
- Sekretariati dhe përgjegjësitë e tij
Një vendim tjetër i rëndësishëm, i mbështetur nga Komiteti Olimpik, ka qenë themelimi i Sekretariatit, të përbërë nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.
Sekretariati kishte për detyrë të analizonte Masterplanin dhe Bidding Book-un dhe të përgatiste një propozim konkret për KOLM-in, i cili do të shërbente si bazë për integrimin e ndryshimeve dhe përgatitjen e fazës së ardhshme të projektit. Gjithashtu, këtij mekanizmi i ishte besuar organizimi i takimit në Athinë dhe koordinimi i delegimit të përfaqësuesve nga të tri institucionet.
Për fat të keq, detyra e përmbushura nuk janë shqyrtuar ende nga KOLM-i. Mungesa e delegimit me kohë të përfaqësuesve institucionalë ka qenë një nga faktorët që ka kontribuar në anulimin e takimit në Athinë. Kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi Sekretariati ishte themeluar pikërisht për të përshpejtuar procesin dhe për të tejkaluar pengesat ekzistuese.
- Përmbushja e obligimeve kontraktuale ndaj ICMG-së
Një nga çështjet më urgjente mbetet përmbushja e obligimeve financiare që burojnë nga amendamentet e marrëveshjes me ICMG-në, të nënshkruara në dhjetor të vitit 2025, për të cilat ICMG-ja ka dërguar faturën përkatëse në qershor të vitit 2026.
Dëshirojmë të theksojmë se këto amendamente janë nënshkruar gjatë takimit të Komisionit Koordinues të ICMG-së dhe me propozimin e tyre, në kuadër të një procesi ku kanë qenë të përfaqësuara të tri institucionet kryesore: Komiteti Olimpik i Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës. Në momentin e nënshkrimit nuk është evidentuar ndonjë kundërshtim formal nga asnjëra prej palëve, dhe nuk kemi dijeni për ndonjë dokument zyrtar që dëshmon një kundërshtim të tillë.
Nënshkrimi i amendamenteve kontraktuale është praktikë e zakonshme në organizimin e ngjarjeve të tilla dhe është zbatuar edhe në edicione të tjera të Lojërave Mesdhetare, përfshirë Taranto 2026. Në rastin e Prishtina 2030, këto amendamente kanë krijuar obligime të cilat janë reflektuar në Buxhetin Operativ të Lojërave, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 253 milionë eurosh.
Prandaj, konsiderojmë se obligimet që burojnë nga dokumentet e nënshkruara duhet të trajtohen me seriozitetin e duhur institucional dhe të adresohen në mënyrë që të mos krijojnë pengesa të mëtejshme në raportet me ICMG-në.
- Integriteti, transparenca dhe qeverisja e mirë
Shqetësim të veçantë për ne paraqesin edhe referencat e bëra në mbledhjen e fundit të Qeverisë lidhur me pretendimet për korrupsion në kuadër të projektit të Lojërave Mesdhetare.
Komiteti Olimpik i Kosovës e konsideron integritetin, transparencën dhe qeverisjen e mirë si parime të panegociueshme. Për këtë arsye, dëshirojmë t’ju sigurojmë se jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona profesionale dhe institucionale për të kontribuar në shqyrtimin dhe sqarimin e plotë të çdo dyshimi apo pretendimi të ngritur.
Ne garantojmë se nuk ka pasur parregullsi të tilla në një projekt që përfaqëson një nga mundësitë më të rëndësishme në historinë e Kosovës për zhvillim, promovim dhe afirmim ndërkombëtar. Megjithatë, çdo pretendim duhet të trajtohet me seriozitet dhe transparencë të plotë.
Lojërat Mesdhetare duhet të mbeten një projekt me integritet të padiskutueshëm dhe qeverisje të mirë. Nuk duhet të lejojmë që dyshimet e paqarta, dezinformimet dhe këshillat e gabuara, mungesa e transparencës apo moskoordinimi institucional të dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e këtij projekti.
I nderuar Kryeministër,
Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar dhe në dispozicionin tuaj për të kontribuar në tejkalimin e kësaj situate. Besojmë se ende ekziston mundësia për ta shpëtuar organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë, por kjo kërkon vendimmarrje të menjëhershme, koordinim të drejtpërdrejtë dhe angazhim të plotë të të gjitha institucioneve.
Në këtë moment vendimtar, konsiderojmë se ndërhyrja dhe udhëheqja juaj personale janë të domosdoshme. Ju jeni në pozitën që të bashkoni institucionet, të zhbllokoni proceset dhe të siguroni që të gjitha palët të veprojnë në funksion të një interesi të përbashkët shtetëror.
Njëkohësisht, konsiderojmë të rëndësishme që vendimet për këtë projekt strategjik të bazohen në informacione të plota, vlerësime profesionale dhe këshilla objektive, duke u dëgjuar të gjitha institucionet dhe palët e përfshira. Ju inkurajojmë që të siguroni se çdo këshillë dhe rekomandim që ju ofrohet është i bazuar në fakte dhe në interesin e vendit, në mënyrë që vendimmarrja të mos ndikohet nga informacione të paplota apo interpretime që mund ta çojnë procesin në drejtim të gabuar.
Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës, ju kërkojmë që të ndërmerrni hapa konkretë dhe urgjentë për të rikthyer koordinimin ndërinstitucional, për të adresuar obligimet ndaj ICMG-së dhe për të siguruar një komunikim të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e saj përpara mbledhjes së 19 dhjetorit 2026.
Gjithashtu, kërkojmë një takim urgjent të KOLM, në mënyrë që së bashku të dakordojmë veprimet dhe përgjegjësitë konkrete për ditët në vijim.
Humbja e Lojërave Mesdhetare do të ishte një humbje e madhe për sportin, zhvillimin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo është një mundësi historike që nuk duhet ta humbasim për shkak të mungesës së koordinimit, vendimmarrjes apo vullnetit institucional.
Komiteti Olimpik i Kosovës është i gatshëm të kontribuojë me të gjitha kapacitetet e tij për të siguruar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbeten në Kosovë dhe të realizohen me sukses.
Me respekt,
KOMITETI OLIMPIK I KOSOVËS
Besim Aliti,
Secretary General
Kosovo Olympic Committee
