Gjendet i vdekur një burrë në Istog, nis hetimi për shkaqet e vdekjes
Një burrë është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm në vendin e tij të punës, në një fermë peshqish në Istog.
Viktima është identifikuar me inicialet Z.B., i lindur në vitin 1963.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar rastin, duke deklaruar se viktima është gjetur pa vetëdije rreth orës 07:00. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë duke vazhduar.
