Franca ka kritikuar ashpër propozimin e ri për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si “thellësisht zhgënjyes”.
Në një deklaratë të publikuar të shtunën, presidenca franceze shprehu pakënaqësinë e saj me planin e propozuar, duke theksuar se ai nuk i përmbush nevojat, veçanërisht sa i përket Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe mbështetjes financiare për fermerët.
“Ky propozim është shumë larg asaj që nevojitet, sidomos për Politikën e Përbashkët Bujqësore, për të garantuar mbështetjen e të ardhurave të fermerëve,” thuhet në deklaratën e presidencës franceze.
Më tej, Franca theksoi se propozimi i paraqitur nga presidenti i Këshillit Evropian, në formën aktuale, nuk krijon bazë për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas agjencisë Reuters, buxheti i Bashkimit Evropian përcakton financimin e politikave të 27 vendeve anëtare, duke përfshirë mbështetjen për fermerët, zhvillimin e teknologjive të reja, industrinë dhe kërkimin shkencor. Këto investime konsiderohen thelbësore edhe për të përballuar konkurrencën ekonomike nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
