Ish-Shefi i Policisë Italiane, Gianni De Gennaro, i cili ishte nën hetim për pengim të dyshuar të një hetimi mbi vrasjen e prokurorit anti-mafia Paolo Borsellino në vitin 1992, ka ndërruar jetë nga vetëvrasja. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga një zyrtar i njohur me çështjen, raporton agjencia Reuters.
De Gennaro, i cili drejtoi Policinë Kombëtare të Italisë nga viti 2000 deri më 2007, konsiderohej një ndër zyrtarët më me ndikim në strukturat e sigurisë italiane. Ai kishte luajtur një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në operacionet kundër mafias siciliane Cosa Nostra gjatë viteve 1980 dhe 1990.
Vetëm pak ditë para vdekjes së tij, prokurorët në Caltanissetta, Sicili, kishin kërkuar vendosjen e tij në arrest shtëpiak. Kjo kërkesë ishte bërë në kuadër të hetimeve për përpjekje të dyshuara për pengimin e zbardhjes së atentatit me bombë në Palermo, në vitin 1992, ku u vra gjyqtari anti-mafia Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij policore. Një gjyqtar e kishte refuzuar fillimisht kërkesën, por prokuroria e kishte ankuar vendimin, dhe një vendim për ankesën pritej në javët në vijim.
Lajmi për hetimet ndaj De Gennaros kishte shkaktuar tronditje në Itali. Ai vetë kishte mohuar çdo përfshirje në veprime të kundërligjshme. Avokati i tij, Francesco Bertorotta, deklaroi për gazetën La Repubblica se ish-shefi i Policisë ishte thellësisht i prekur nga akuzat. “Ai më ishte dukur i dëshpëruar, pasi duhej të mbrohej nga akuza që i konsideronte të padrejta dhe shpifëse,” theksoi avokati.
**Hetimet për vrasjen e Borsellinos**
Sipas raportimeve të mediave italiane, De Gennaro u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në fshat, në rajonin e Toskanës, pasi familjarët kishin ngritur alarmin kur nuk kishin arritur të kontaktonin me të. Prokuroria në Grosseto, provinca ku ndodhet shtëpia e tij, ka nisur hetime për dyshimin e nxitjes së vetëvrasjes, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA. Pranë trupit të tij nuk u gjetën letra apo mesazhe.
Mënyra se si janë zhvilluar hetimet për vrasjen e Paolo Borsellinos mbetet një ndër kapitujt më të diskutueshëm të historisë së fundit italiane. Më pak se dy muaj para vrasjes së Borsellinos, një tjetër atentat me bombë i mafias kishte vrarë gjyqtarin anti-mafia Giovanni Falcone, një bashkëpunëtor i afërt i tij.
Policia kishte identifikuar disa të dyshuar për vrasjen e Borsellinos, të cilët më vonë ishin shpallur të pafajshëm. Hetimet e mëvonshme u përqendruan edhe në pretendimet se gjatë procesit fillestar ishin siguruar dëshmi të rreme përmes rrëfimeve të fabrikuara. Vetëvrasja e dyshuar e De Gennaros vjen në një moment kur hetimet për një prej vrasjeve më të bujshme të luftës së shtetit italian kundër mafias kanë marrë një kthesë të re.
