Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktakuzën ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe tre personave të tjerë, duke i hapur rrugë vazhdimit të procesit gjyqësor për aferën e rezervave shtetërore. Seanca e radhës pritet të mbahet sot, në orën 09:30.

Hajdari, së bashku me ish-zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe biznesmenin Ridvan Muharremi, do të përballen me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale. Këto akuza lidhen me keqpërdorime të dyshuara, të cilat i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej afro tre milionë eurosh. Rasti konsiderohet si një ndër më të diskutuara lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, dhe tashmë ka kapërcyer pengesat procedurale.

Vendimi i Apelit, i marrë më 13 nëntor, refuzoi ankesat e mbrojtjes, duke lënë në fuqi aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Ky vendim siguron bazën ligjore për të vazhduar me shqyrtimin gjyqësor, ku prokuroria do të duhet të vërtetojë akuzat. Sipas aktvendimit, Gjykata e Apelit vlerësoi se ekziston një dyshim i bazuar mirë se veprimet e të akuzuarve i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm financiar prej rreth 2.9 milionë eurosh.

Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria Speciale pas hetimeve lidhur me blerjen e rezervave shtetërore gjatë vitit 2022, fokusohet te dyshimet mbi kontratat për blerjen e grurit nga një kompani turke, si dhe të vajit dhe sheqerit nga një kompani polake.

Rozeta Hajdari akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, të dyja në bashkëkryerje. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, me këtë të fundit që akuzohet edhe për një vepër të veçantë të zbulimit të fshehtësisë zyrtare. Ndërkaq, biznesmeni Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Procesi gjyqësor ishte ballafaquar me pengesa që në fillim, duke përfshirë dështimin e seancës së parë dhe vendimin e Gjykatës Themelore për të përjashtuar publikun dhe mediat nga seanca fillestare. Ky vendim u arsyetua me nevojën për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara dhe dëshmitarëve.

Hajdari i ka mohuar akuzat, duke theksuar se Prokuroria Speciale ka vepruar me motive politike kundrejt qeverisë “Kurti”. Në këtë rast, prokuroria kishte kërkuar disa herë intervistimin si dëshmitar të kryeministrit Albin Kurti, i cili nuk është paraqitur në zyrat e saj.