Përfaqësuesja e Malit të Zi në Miss Universe bën shqiponjën, shkakton reagime
**Marija Aleksandra Ivezaj, 22-vjeçarja që përfaqësoi Malin e Zi në konkursin e bukurisë Miss Universe, tërhoqi vëmendjen e publikut dhe medias. Gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare në Porto Riko, ajo bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, një gjest që shkaktoi reagime të shumta.**
Ky simbol, i lidhur ngushtë me identitetin kombëtar shqiptar, u krye nga Ivezaj jo vetëm gjatë shfaqjes në skenë më 21 nëntor në San Juan, por edhe në fotot e publikuara më pas në profilin e saj në Instagram, ku ajo shfaqej me kostumin kombëtar.
Veprimi i saj shkaktoi diskutime të gjera në rrjetet sociale dhe u pasqyrua gjerësisht nga media të ndryshme rajonale. Kjo ndodhi pasi Ivezaj, pavarësisht se përfaqësonte Malin e Zi në një garë ndërkombëtare, përdori një simbol që konsiderohet si shprehje e identitetit shqiptar.
Disa media rajonale e cilësuan gjestin e saj si një “skandal”. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Ivezaj synonte të dërgonte një mesazh politik me këtë veprim.
