Anthony Gordon ka përjetuar një fillim me ulje-ngritje te Barcelona, që prej transferimit të tij të ëndrrave gjatë verës, ndërsa një problem me të cilin po përballet me siguri do të jetë i njohur për tifozët e Newcastle United.
Duke qenë pjesë e një tresheje sulmuese të nivelit botëror, së bashku me Raphinha dhe Lamine Yamal, Gordon pati një fillim të shkëlqyer në “Camp Nou”, pas transferimit nga Newcastle.
Ai u bë vetëm lojtari i tretë në këtë shekull që regjistroi katër asistime në katër ndeshjet e para në La Liga.
Megjithatë, 25-vjeçari nuk ka arritur të tregojë të njëjtën cilësi në fazën sulmuese që prej asistimit të tij të pestë të sezonit, në fitoren dërrmuese 5-0 ndaj Valencias në shtator.
Në fakt, reprezentuesi i Anglisë nuk ka regjistruar asnjë asistim në tetë paraqitjet e fundit në kampionat, ndërsa ka shënuar vetëm dy gola, në fitoren 3-0 ndaj Getafes dhe atë 6-1 kundër Alavesit.
Mungesa e vazhdimësisë në kontributin ofensiv te Barcelona është diçka shumë e njohur për tifozët e Newcastle. Gjatë katër viteve të kaluara në këtë klub, reprezentuesi anglez është kritikuar shpesh për mungesën e konkretizimit në zonën e fundit të fushës.
Në sezonin e tij të fundit në “St James’ Park”, Gordon humbi më së shumti raste të pastra për gol nga të gjithë futbollistët e Newcastle (9), duke ndarë këtë statistikë negative me Harvey Barnes.
Ai ishte gjithashtu i dyti për nga rastet e pastra të humbura gjatë dy sezoneve paraprake, kur Alexander Isak kryesonte këtë statistikë, duke vënë në pah vështirësitë e tij për të konkretizuar rastet e krijuara.
Prandaj, tifozët e Newcastle nuk do të befasohen kur të mësojnë se Gordon po përballet me të njëjtin problem edhe te Barcelona.
Në 12 ndeshjet e para në La Liga, ish-anësori i Evertonit renditet i 12-ti në mesin e të gjithë futbollistëve për nga rastet e pastra të humbura, ndërsa vetëm tetë për qind të goditjeve të tij i ka shndërruar në gola.
Edhe pse kjo mund të shihet si një aspekt pozitiv, pasi numri 17 i Barcelonës po arrin vazhdimisht të pozicionohet në raste të rrezikshme për të shënuar, tifozët po shfaqin gjithnjë e më shumë pakënaqësi me vendimmarrjen e tij.
“Anthony Gordon duhet të punojë seriozisht në përmirësimin e finalizimit. Barcelona do të ishte duke fituar 4-2 deri tani”, shkroi një tifoz në X, pasi Gordon shpërdoroi disa raste për ta thelluar epërsinë e skuadrës së tij ndaj Villarrealit.
“Gordon më ka impresionuar shumë gjatë javëve të fundit! Ai duhet të shtojë më shumë gola dhe asistime në lojën e tij, sepse nëse nuk përmirësohet, duke luajtur në një skuadër që ka një xG prej rreth 3.5 për ndeshje, nuk do të arrijë kurrë të përmirësohet”, vërejti një tjetër tifoz.
Ndonëse kontributi i ulët ofensiv i Gordonit është shqetësues, edhe Yamal dhe Raphinha kanë humbur më shumë raste të pastra sesa bashkëlojtari i tyre. Megjithatë, të dy kanë një përqindje më të mirë të konkretizimit të goditjeve në gola, diçka që ndoshta nuk është befasuese: Raphinha (38.5%) dhe Yamal (13.7%).
Gordonit i është dashur të përshtatet me një ambient krejtësisht të ri, të mësojë një gjuhë tjetër dhe të adaptohet me kërkesat e Hansi Flickut, prandaj mund të thuhet se meriton edhe pak kohë dhe mirëkuptim.
Anglezi tashmë nuk e ka të lejuar pushimin pas ndeshjeve, ndërsa Flick ka folur hapur për mënyrën se si ai është përshtatur në mënyrë të natyrshme me klubin.
“Është paksa ndryshe për të, mendoj, mënyra se si ne stërvitemi, sepse është krejtësisht ndryshe nga ajo që ai priste, besoj”, tha trajneri gjerman në fillim të nëntorit.
“Besoj se, nga ajo që më ka thënë, pas ndeshjeve normalisht nuk stërviteshin në Newcastle, kështu që këtu është krejtësisht ndryshe, por ai po ia del mirë. Jam shumë i kënaqur me cilësinë e tij, me ndikimin që ka në skuadrën tonë dhe jo, ai është një djalë i mirë”, u shpreh Flick.
Barcelona do të rikthehet në fushë të mërkurën në mbrëmje, kur do të luajë në udhëtim te Sabahu, në kuadër të Ligës së Kampionëve./GazetaExpress/
